E Diel, 1 Nëntor 2026

Një Apoloni joinferiore, por që sdi të fitojë

Nga BUJAR RAMA

Fierakët janë paraqitur mirë ndaj Tiranës, por në fund sërish nuk kanë arritur të marrin qoftë një pikë

Humbja e radhës për Apoloninë. Fierakët janë mposhtur në shtëpinë e vet nga Tirana kryesuese, por këtë herë me një lojë të mirë të zhvilluar. Kundër një skuadre të fortë dhe cilësore, Apolonia nuk është treguar aspak inferiore, përkundrazi, ka qenë ekipi më simpatik në fushë dhe ka dhuruar një lojë plot dëshirë e grintë dhe ka merituar shumë më tepër se një humbje e pamëshirshme ardhur në minutat e fundit.

Përkundër emrit, Tirana është treguar tejet pragmatiste dhe ia ka dalë mbanë. Një gol i vonë i Arian Pishës, që i ka dhënë tri pikë shumë të çmueshme ekipit të Rubios, atëherë kur edhe bardheblutë po mendonin se gjithçka po shkonte drejt barazimit. Bardhejeshilët kanë zhvilluar një ndeshje dominuese, kanë qenë zotërues të mesit të fushës, por, si gjithmonë, kanë pasur probleme në sulm.

Mungesa e Ramës e ka detyruar Papuçiun që të hedhë në vijën e parë Ribajn dhe Agastrën, duke vendosur pas tyre edhe kapitenin Gërço. Ky i fundit e ka bërë më së miri detyrën e tij, teksa ka shënuar të vetmin gol të Apolonisë, edhe pse pas një goditjeje standarde, Agastra është përpjekur të lëvizë dhe të shqetësojë mbrojtjen bardheblu, ndërsa Ribaj, pavarësisht dëshirës, në kampionat mbetet larg formës që i nevojitet për të qenë pika e referencës për bardhejeshilët.

Sidomos në pjesën e dytë, tek Apolonia ka spikatur loja absolutisht e saktë e brazilianit Luis Fernandes de Almeida da Silva, i cili ka zhvilluar ndeshjen e tij më të mirë te skuadra fierake. Vetë protagonisti ndihet i mërzitur për humbjen e skuadrës së tij, prandaj dhe shprehet se loja e mirë që ka zhvilluar mbetet vetëm një fragmentarizim episodik brenda këtij takimi.

Asnjëherë nuk kanë vlerë paraqitjet individuale kur nuk fiton ekipi. Minimalisht, meritonim të paktën barazimin, por futbolli është i tillë dhe nuk e njeh rrjedhën e lojës. Një moment vendos për fatin e gjithë takimit dhe kështu ndodhi kundër Tiranës. Megjithatë, duhet të nxjerrim mësimet tona nga kjo humbje dhe të gabojmë sa më pak në të ardhmen, – është shprehur braziliani i Apolonisë, Da Silva.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›