E Shtunë, 31 Tetor 2026

G. Lika: Kjo Tiranë, e afte te mposht edhe Skënderbeun

Nga ERJON SALIU

Sipas mesfushorit të bardhebluve dhe kombëtares, fitorja në Fier shërben shumë për rritjen e moralit para kryendeshjes me ujqërit e dëborës

Tirana e këtij sezoni nuk njeh kundërshtarë. Përveç humbjes në ndeshjen e javës së parë në shtëpi me Teutën me rezultatin 0-1, në gjashtë javët e tjera 24 herë kampionët janë treguar diktatorë, jo vetëm në fushën e tyre, por edhe në transfertë. Fitorja e fundit ishte në Fier ndaj Apolonisë, që shërben edhe si një antipastë para ndeshjes me kampionët në fuqi, Skënderbeun.

Në prag të përballjes me kuqebardhët, mesfushori shkodran i Tiranës dhe ekipit tonë kombëtar, Gilman Lika ka pohuar: Fituam edhe në Fier në minutat e fundit dhe nuk është më rastësi, sepse na ka ndodhur në Krujë apo me Bylisin në shtëpinë tonë, por edhe në Laç në ndeshjen e kupës. Kjo tregon që jemi shumë të përgatitur fizikisht, moralisht dhe psikologjikisht deri në minutën e 90-të. Tashmë përgatitemi për të mundur Skënderbeun në fushën tonë.

Skënderbeu Ne e kemi bërë hakmarrjen në takimin e superkupës, që u zhvillua në Korçë, atje e treguam se kush jemi. I mundëm në fushë dhe festuam me tifozët tanë gjatë pastaj, kurse korçarët dhe tifozët e tyre u zhgënjyen nga humbja në shtëpi. Në ndeshjen e radhës me Skënderbeun që do e luajmë këtu në Tiranë, duhet që të japim maksimumin. Pavarësisht pozicionit që mbajnë në klasifikim, korçarët janë një ekip që duhen respektuar, sepse mbeten pretendentë kryesorë në luftën për titullin kampion.

Kanë një skuadër me lojtarë cilësorë. Që sot do të fillojmë të mendojmë vetëm për Skënderbeun, pa e mbajtur mendjen te rezultatet pozitive në javët e shkuara dhe duke qendruar me këmbë në tokë. Duhet që ti mundim, sepse çdo fitore ndaj rivalëve ka vlerën e gjashtë pikëve. Jam i bindur që Tirana do të fitojë dhe të gjithë tifozët tanë do të kënaqen me ne.

Transfertat Bardheblutë janë treguar dinjitozë edhe në ndeshjet që kanë zhvilluar në transfertë, edhe pse kanë luajtur ndaj skuadrave të forta, si Kastrioti, Vllaznia e Apolonia, që në fushat e tyre nuk të falin Një ekip që synon të marrë titullin kampion dhe të bëjë diferencën me rivalët duhet që të fitojë sa më shumë ndeshje në transfertë. Aty duket forca reale. Deri më tani ne e kemi bërë më së miri detyrën, kemi fituar në Krujë, kemi marrë një pikë në Shkodër, gjithashtu edhe në Fier, ku u larguam si triumfatorë nga stadiumi.

Ndryshimi Gilman Lika, i cili iu bashkua 24 herë kampionëve janarin e shkuar, krahason edhe skuadrën e vjetshme me atë aktuale. Sipas Likës, këtë ekip vështirë se e ndal kush sepse nuk i mungon asgjë. Kjo Tiranë është shumë ndryshe nga ajo e një viti më parë. Ka ndryshuar në të gjitha drejtimet.

Këtë sezon pati një angazhim maksimal të të gjitha strukturave për të ndërtuar një Tiranë me ambicie, të denjë qysh në ndeshjet e Kupave të Europës, pro edhe në vijim. Shkëndijat u dhanë me fitimin e Superkupës në mes të Korçës me kampionët në fuqi. Por mbi të gjitha ajo që po ndikon më shumë në ecurinë pozitive të Tiranës deri më tani është dora e trajnerit Rubio. Ai di të ndërtojë një skuadër kompakte dhe lojtarëve u gjen vendin e duhur në fushën e lojës që të japin maksimumin.

1 Pikë në tri ndeshje mori Tirana vjet në përballjet me Skënderbeun, ndërsa këta të fundit shtatë pikë, dy fitore dhe një barazim

2 Trofe ka fituar Gilman Lika me bardheblutë, me të cilët u bashkua janarin e shkuar, një Kupë Shqipërie dhe një superkupë

2 Ekipe ka ndërruar deri më tani në kampionatin shqiptar mesfushori shkodran. E ka nisur karrierën tek ekipi mëmë Vllaznia, për tu bashkuar me Tiranën

Tifozët duan ta shohin ndeshjen me drita

Tifozët bardheblu pritet që të jenë të shumtë ndaj Skënderbeut në shkallët e stadiumit, madje aq sa nuk kanë qenë ndonjëherë në mbështetje të Tiranës në këto pesë vitet e fundit. Me korçarët duket se ata kanë mllef jo vetëm se vjet i kanë vjedhur dy herë në Qemal Stafa, kur në fazën e dytë iu anulua një gol i saktë Pejiçit dhe ndeshja përfundoi në barazim 0-0, ndërsa në fazën e tretë, po në kryeqytet, bardhekuqtë fituan falë një 11-m fantazmë, ku kryesori bëri me shenjë vazhdimin e lojës, ndërsa vendimin e mori anësori.

Mirëpo nuk mbetet me kaq, pasi në ndeshjen e Superkupës, që u luajt në Korçë, tifozët e Tiranës, për mungesë të organizimit të ndeshjes u dëbuan nga stadiumi. Ndaj ndeshjen që do të luhet këtë fundjavë me kampionët në fuqi, tifozët bardheblu duan ta shohin me drita, për ta bërë akoma më elektrizuese atmosferën në Qemal Stafa dhe për këtë pritet që tu bëjnë edhe një kërkesë drejtuesve të klubit. Ata kanë filluar përgatitjet dhe presin vetëm një fitore bindëse nga idhujt e tyre ndaj Skënderbeut.

Ahmataj dëmtohet në transfertën fierake

Një nga lojtarët më stabël në formacionin e skuadrës së Tiranës, mëngjarashi Julian Ahmataj, në ndeshjen ndaj Apolonisë të dielën që shkoi mbeti i dëmtuar. Trajneri spanjoll Rubio nuk ka dashur të rrezikojë, prandaj e ka zëvendësuar Ahmatajn me Renaldo Kalarin. Duket se dëmtimi që ka pësuar Ahmataj është i lehtë dhe me shumë mundësi ai do të jetë në fushë në kryendeshjen e kësaj jave me Skënderbeun, që do të luhet në fundjavë në kryeqytet.

Sot nisin përgatitjet anti-Skënderbe

Dita e djeshme ka qenë pushim absolut për bardheblutë, duke qenë se të dielën luajtën në Fier dhe java që shkoi ka qenë e ngjeshur, pasi kanë luajtur edhe ndeshjen e Kupës në Laç. Vetëm sot, në orën 14:30, do të nisin përgatitjet për ndeshjen e radhës me Skënderbeun, si zakonisht në kompleksin Skënder Halili.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›