E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria ende pa timon: E di vetëm Duka!

Nga Adi Metaliu

Në rast se Hasi nuk bie dakord me FSHF-në brenda pak ditëve, dy miqësoret e radhës do ti drejtojë Xhemal Mustedanagiç

Nesër mbushet një javë nga deklarata e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, se brenda javës do të zgjidhet trajneri i kombëtares. Jo vetëm që java u mbyll pa një marrëveshje konkrete, por edhe ditët e para të kësaj në vazhdim nuk po zbardhin asgjë. Madje ka vend edhe për ndonjë batutë të sekretarit Prodani:

Nuk ka kaluar akoma një javë nga premtimi i Dukës. Në FSHF askush nuk është në gjendje të tregojë ndonjë zhvillim të ri të mundshëm, nëse Besnik Hasi e ka pranuar ofertën e Dukës apo kreu i federatës po negocion me kandidatura të tjera. E di vetëm Duka! Kjo është përgjigjja që merr qoftë nën zë nga zyrtarët e FSHF-së për emrin e trajnerit të ri të kombëtares.

Kandidatura e Hasit Besnik Hasi është kandidatura kryesore për të marrë detyrën e trajnerit. Emri i tij është lakuar ende pa u larguar zyrtarisht kroati Josip Kuzhe, por edhe pse kanë kaluar disa javë nga kontaktet e para mes palëve, zyrtarizimi mungon. Thembra e Akilit në arritjen e marrëveshjes mbetet kohëzgjatja e kontratës.

FSHF i afron Hasit kontratë dyvjeçare, me mundësinë e rinovimit për dy vite të tjera, ndërsa gjakovari kërkon më shumë siguri, pra kontratë afatgjatë, të paktën katërvjeçare. Njëra nga palët duhet të lëshojë që marrëveshja të arrihet, por deri tani nuk ka pasur ndonjë sinjal pozitiv.

Alternativa Xhemo FSHF po mendon seriozisht për tia lënë në dorë ndihmësit të Kuzhes, boshnjakut Xhemal Mustedanagiçit, drejtimin e Shqipërisë në dy ndeshjet miqësore me Azerbajxhanin në Qemal Stafa (11 nëntor) dhe me Maqedoninë në Prilep (15 nëntor). Emërimi i trajnerit po shtyhet dita-ditës, çka do të thotë se me shumë mundësi dy miqësoret nuk do të drejtohen nga trajneri i parë. Duka nuk kërkon të nxitohet, duke i dhënë kohën e mjaftueshme Hasit për të reflektuar.

Dhe në rast  se përgjigjja përfundimtare e 40-vjeçarit do të jetë negative (Hasi është ndihmëstrajner tek Anderlehti), bisedimet për trajnerin e ri do të nisin nga e para. Duka do të ketë kohën e mjaftueshme pas dy miqësoreve për të gjetur kandidaturën e duhur, pa pasur presionin e ndeshjeve.

FSHF, gati listën paraprake Shqipëria do të nisë grumbullimin për dy miqësoret më 6 nëntor, menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të fundjavës. Duke qenë se ende nuk është zgjedhur trajneri, FSHF ka bërë gati listën paraprake të futbollistëve, madje shumicës së tyre u është nisur ftesa, ndërsa trajnerit të ri (nëse emërohet brenda javës) i mbetet të bëjë ndonjë ndryshim emergjent.

Skela, jashtë listës 

Ervin Skela nuk do të grumbullohet më me kombëtaren. Përderisa fantazisti 34-vjeçar nuk ka gjetur skuadër, rrjedhimisht nuk mund të kontribuojë për Shqipërinë. Në ndeshjen me Luksemburgun, karriera e Skelës me bluzën kuqezi ka shënuar fundin. Ndoshta në një të ardhme të afërt ai mund të bëhet pjesë e stafit drejtues.

Me Azerbajxhanin, në orën 18:00

Miqësorja e parë e nëntorit kundër Azerbajxhanit do të luhet në Qemal Stafa, në orën 18:00. FSHF ka menduar këtë orar të përshtatshëm për të afruar sa më shumë tifozë në mbështetje të kuqezinjve. Por për takimin e katër ditëve më pas, në Prilep me Maqedoninë, nuk është caktuar ende orari.

Strakosha, sot në Tiranë për detyrën e re

Ish-portieri i kombëtares kuqezi, Foto Strakosha, i emëruar nga president i FSHF-së, Armand Duka, në krye të përfaqësueses U-19, do të mbërrijë sot në Tiranë për të nisur punën. Ndonëse ai është zyrtarizuar nga Duka, palët do të diskutojnë për çështje të kontratës dhe për emërimin e pjesës tjetër të stafit teknik. Foto Strakosha do të zëvendësojë Skënder Gegën, i cili ka zënë vendin e Artan Bushatit tek U-21.

Në mes të tetorit, përfaqësuesja U-19 ka zhvilluar në Austri ndeshjet eliminatore të Europianit 2012 dhe ka zënë vendin e tretë në grup. Shqipëria është mundur në ndeshjen e parë me Danimarkën 1-0, ka barazuar me Austrinë 0-0 dhe ka fituar me Maltën pastër 4-0.

Danimarka u rendit e para e grupit me 7 pikë, Austria vendëse grumbulloi 5 pikë, ndërsa Shqipëria e treta me 4 pikë (Malta nuk mori asnjë pikë). Në bazë të rregullores së UEFA-s, në turin Elitë kualifikohen 2 të parat e çdo grupi dhe skuadra e tretë më e mirë. Shqipëria shpreson të kualifikohet si e treta më e mirë, por deri tani kanë përfunduar ndeshjet e 7 grupeve, nga 12 gjithsej.

U-17, me përforcime në raundin Elitë

Përfaqësuesja U-17, e cila në pranverë do të luajë në raundin Elitë të Euro 2012-s, është përforcuar me lojtarë cilësorë, të cilët nuk kanë mundur të aktivizohen për arsye dokumentacioni në fazën eliminatore. FSHF ka tërhequr nga presidenca pasaportat shqiptare të Lorik Aliut, Fatlum Ramadanit dhe Astrit Bunjakut, të cilët mund të luajnë në ndeshjen e ardhshme të U-17-s. Trajneri Xhemal Mustedanagiç ka deklaruar se do të kërkojë kualifikimin në turin Elitë, pavarësisht se vetëm e para e grupit (shorti hidhet në fund të nëntorit) do të kualifikohet për në turin final.

Lotito lavdëron punën e Igli Tares

Skuadra e Lacios në Serinë A po zhvillon një kampionat shumë të mirë, teksa renditet në vendin e dytë, pas Juventusit. Presidenti Klaudio Lotito ka lavdëruar punën që ka zhvilluar drejtori sportiv, shqiptari Igli Tare, i cili së bashku me trajnerin Reja kanë bërë blerje të goditura, ndër më të spikaturat ajo e Miroslav Klozes. Lacio bleu nga Gallatasaraj edhe Lorik Canën, i cili ende nuk është shfaqur me të gjithë potencialin e tij:

Le të themi që kam një staf të nivelit të parë, qoftë teknik, qoftë profesional, por mbi të gjitha moral. Drejtori mbi të cilin besova, Igli Tare, u provua se është një zgjedhje e duhur, ka kompetencë të madhe, seriozitet të madh, është një person që ka frymë ndërkombëtare. Kemi një raport shumë të bukur, jo vetëm pune, por edhe në planin personal, në atë të miqësisë,.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›