Bienali i artistëve të rinj

Edicioni i XV-të i bienalit të Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mediterani do të karakterizohet me një format të ri, një rrugëtim i gjatë nëpër Mediteran që do të përfshijë qytetet e ndryshme të ndërlidhura në mes tyre nëpërmes ngjarjeve dhe punëtorive që do të organizohen nga po këto qytete.
Në këtë fazë të punës dhe me konkurs përfshihet përzgjedhja e krijuesve nga Kosova për dy ngjarje në kuadër të bienalit të XV-të të Artistëve të Rinj të Evropës dhe Mediteranit:
Artet pamore, artet aplikative dhe gastronomia, në Selanik të Greqisë më 7 tetor deri më 6 nëntor, ndërsa kinematografia, letërsia dhe muzika në Romë të Italisë, prej 18 deri më 19 nëntor.
Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor synon që përfaqësimi i artit dhe kulturës që krijohet në Kosovë, por edhe pjesëmarrja e punëtorëve të rinj në art e kulturë në bienalin e XV-të i Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mediterani të shënojë një kthesë domethënëse në përfaqësimin ndërkombëtar të praktikave të reja artistikë të kësaj skene.
Artistët pamor, arkitektët, dizajnerët, stilistët, kryekuzhinierët, shkrimtarët, regjisorët dhe muzicientët me moshë prej 18-30 vjet ftohen të aplikojnë me projektet e tyre të bazuara në temën e përgjithshme të bienalit të XV-të të Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mediterani.
Bienali i XV-të i Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mediterani e formulon temën e përgjithshme të punës në pyetjen: Simbioza? Në vend se të ri-formulohet imperativi moral në zemrën e konceptit të të jetuarit bashkë (simbiozës), ky projekt ka për qëllim të ngrisë një numër pyetjesh, duke përfshirë: Si do të mund të jetonim bashkë? Apo më mirë, si të jetohet bashkë me qasjet e ndryshme politike të ekzistencës? Si avancohet vetëpërmbushja njerëzore nëpërmes simbiozës? Cilat janë mënyrat dhe kanalet joformale
nëpërmes të cilave individët veprojnë? Si është i riaranzhuar realiteti i përbashkët nëpërmes praktikave të zgjeruara artistike? Si riorientohen kushtet e jetës së përbashkët në zonën e vendeve të Mediteranit në vazhdën e ngjarjeve politike të përshpejtuara në disa nga vendet e Mediteranit? Si mund të funksionojë arti në trajtën e një lexuesi të brendshëm që lexon ‘vetën’ dhe ‘tjetrin’? Çka premtojnë teknologjitë dhe mënyrat e reja të rrjetëzimit shoqëror?
Në këtë kontekst, nocioni i simbiozës shihet si mënyrë e kërkimit për një marrëdhënie të ripërtërirë me ‘tjetrin’; ‘tjetri’ mund të zhvendoset në raport me natyrën dhe retorikën e zhvillimit të zbatueshëm, në raport me kulturën dhe kufijtë e pacaktuar të artit, në raport me masën e qytetit që vazhdimisht transformohet, në raport me botën bashkëkohore digjitale, gjithashtu të shpërfytyruar radikalisht dhe në raport me krizën e re ekonomike dhe sociale.