PS: Dhamë votat për Kodet, nuk po bëhet reforma zgjedhore
Konsensusi midis demokratëve dhe socialistëve po funksionon vetëm për miratimin e ligjeve, ndërsa për reformat ato kanë ngecur. Një shqetësim i tillë është shprehur dje nga drejtuesit e lartë të Partisë Socialiste, të cilët kanë deklaruar se nga ana e tyre është dhënë vota për të miratuar të gjitha ligjet e nevojshme ndërsa demokratët kanë ngecur reforma parlamentare dhe zgjedhore në pikat kyçe të tyre. Mesditën e djeshme, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve është ndërmarrë një tjetër hap në vijim të konsensusit midis partive politike. Bëhet fjalë për të miratuar ligjin e Gjykatës Administrative dhe që kërkon 84 vota. Ky ligj i shumë debatuar është kushtëzuar nga opozita me kryerjen e një sërë reformash.
Por në mbledhjen e djeshme të zhvilluar me dyer të mbyllura, kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, ka rikujtuar mazhorancën se reformat kanë ngelur në vend dhe nuk po ecin me ritmet që duhen. Në këtë mbledhje numri dy i selisë rozë ka kërkuar nga mazhoranca që të bashkëpunojë ashtu siç edhe opozita po zbaton pjesën e saj të marrëveshjes. Pas këtij apeli, mazhoranca dhe opozita kanë miratuar me konsensus kalendarin 3-javor të punimeve të kuvendit, në të cilin përfshihet votimi i Gjykatës Administrative më 15 mars dhe miratimi i Kodit Penal dhe atij Civil.
Pak minuta pas kësaj mbledhje, nga selia rozë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shprehur shqetësimin lidhur me dështimin, siç e quajti ai, të procesit në raport me afatin. Jemi shumë të shqetësuar lidhur me dështimin e procesit në raport me afatin. Sot, (dje) sipas afatit të përcaktuar, ne duhet të ishim drejt finalizimit të reformës zgjedhore në pak ditë të mbetura të muajit shkurt,- deklaroi dje kryetari i Partisë Socialiste, gjatë fjalës së mbajtur përpara deputetëve. Duke e cilësuar si një fatkeqësi, kryesocialisti tha se politika ndodhet shumë larg këtij objektivi dhe kjo për shkak të një zvarritje që po bëhet gjithmonë e më shqetësuese nga ana e palës tjetër. Sipas tij, propozimet që përfaqësuesit socialist në komisionin e reformës kanë paraqitur, janë të lidhura me standardet e zgjedhjeve, janë të lidhura me zbërthimin e rekomandimeve të raportit të OSBE- ODIHR, janë të lidhura me domosdoshmërinë për të mos lejuar të përsëriten ato që kanë ndodhur në dy palë zgjedhje të shkuara.
E, fatkeqësisht, jo vetëm që reforma po zvarritet, por ka pak vullnet të shprehur nga pala tjetër për të trajtuar ashtu siç duhet thelbin e problematikës së kësaj reforme dhe për ti dhënë drejtimin e duhur procesit, në mënyrë që ti lihet gjithë koha e duhur për implementimin e reformës në raport me gjithë procesin e administrimit zgjedhor,- tha Rama.
Krahas reformës zgjedhore, një tjetër reforma e cila ka ngecur është dhe ajo parlamentare. Për këtë vonesa lideri i opozitës shqiptare fajëson qeverinë. E njëjta gjë dhe me reformën parlamentare, që ka mbetur edhe ajo në pikat kyçe të saj. Gjë që na bën krejtësisht të vetëdijshëm për faktin se nëse këto dy reforma nuk kalojnë ashtu siç duhet dhe në kohën e duhur procesi i integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në Europë është tërësisht i kompromentuar. Dhe sigurisht për këtë ka vetëm një përgjegjës dhe është qeveria e Republikës së Shqipërisë, – shprehur shqetësimin kryetari i PS-së. Reforma parlamentare dhe ajo e Kodit Zgjedhur janë dy nga reformat, të cilat socialistët kanë këmbëngulur më shumë për zhvillimin e tyre.
