E Diel, 1 Nëntor 2026

Komando Aleksandër Peçi del nga gjendja e rrezikut për jetën

Ened Janina

Komando shqiptar i plagosur tre ditë më parë në Afganistan, nëntetar Aleksandër Peçi ka kaluar gjendjen e rrezikut për jetën dhe momentalisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve amerikanë. Kjo është konfirmuar zyrtarisht dje nga Ministria e Mbrojtjes, e cila ka përcjellë të dhënat më të fundit nga kontingjenti i ushtarëve tanë në Afganistan.
Nëntetar Aleksandër Peçi, është transferuar në spitalin ushtarak amerikan në Bazën Ajrore të Bagramit, në veri të Kabulit, një spital me personel shumë të kualifikuar për ndërhyrje kirurgjikale të vështira. Nëntetar Peçi i është nënshtruar edhe një operacioni tjetër, i cili ka zgjatur disa orë. Operacioni ka dalë me sukses të plotë dhe aktualisht gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë. Ai tashmë ndodhet tërësisht jashtë rrezikut dhe funksionet e tij jetësore janë duke u kthyer në normalitet,- thanë dje burimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas tyre, është planifikuar dërgimi i tij në një spital më të Specializuar në Gjermani, por për të kryer këtë gjë pritet stabilizimi përfundimtar i gjendjes shëndetësore të Peçit. Ai duhet të jetë në gjendje që të përballojë udhëtimin e gjatë me avion dhe për këtë gjë pritet që mjekët të thonë fjalën përfundimtare nëse është apo jo gati të niset. Pasi gjendja e tij shëndetësore të jetë në nivel të qëndrueshëm për të përballuar kushtet e udhëtimit, ai do të transferohet për një trajtim mjekësor më të gjatë dhe më të hollësishëm në Gjermani,- thanë burimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes.

Komandanti i Grupit, Kapiten Feti Vogli dhe nëntetari Aleksandër Peçi u gjendën nën zjarrin e një polici afgan në orën 16:30 me orën lokale të Kandaharit ose 14:00 me orën lokale shqiptare. Ata u sulmuan gjatë një misioni inspektimi dhe shoqërimi në rajonin Shadizi Robat, në afërsi të Bazës Ushtarake në Spin Boldak. Si rezultat i zjarrit të befasishëm kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një amerikan. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar një helikopter, i cili ka bërë evakuimin e tre të plagosurve. Komandanti i Grupit, Kapiten Feti Vogli nuk ka mundur të përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që të dy ushtarakët e tjerë janë futur menjëherë në sallat e operacionit.

CNN: Shkaku i vrasjes, një grindje me policin afgan

Gjiganti mediatik amerikan, CNN ka publikuar një lajm dy ditë më parë ku jep si shkak për vrasjen e Kapitenit Feti Vogli, sherrin që ushtarët e NATO-s kanë pasur me një polic afgan. Sipas CNN, shumë shpesh këto ngjarje nuk kanë lidhje me rebelët, por janë konflikte të momentit mes ushtarëve dhe vendasve.

Një person i veshur me uniformë të policisë afgane hapi zjarr mbi trupat e NATO-s në Afganistan, duke vrarë një, tha NATO, në atë që duket si i fundmi në një seri sulmesh të forcave të sigurisë afgane, që kthejnë armët kundër trupave ndërkombëtare, me të cilat supozohet se janë aleatë. Një ushtar shqiptar u vra dhe tre trupa të tjera u plagosën, përfshi dy shqiptarë dhe një amerikan, sipas qeverisë lokale në Kandahar, ku ndodhi edhe ngjarja. Dhuna erdhi si rezultat i një grindjeje mes policisë afgane dhe ushtarëve të koalicionit, që po shpërndanin dokumente për studentët në atë zonë, bëri të ditur zyra për shtyp e Kandaharit. Një arrestim u bë dhe incidenti po hetohet, bëri të ditur zyra e shtypit.

Forca e sigurisë së NATO-së lëshoi një deklaratë të shkurtër ku konfirmohej zjarri dhe vdekja, por pa dhënë as kombësinë e ushtarit dhe asnjë detaj tjetër. Ka pasur së paku 42 sulme të forcave të sigurisë afgane mbi aleatët ndërkombëtarë gjatë pesë viteve të fundit, bëri të ditur një ligjvënës i lartë amerikan. Shumica e sulmuesve veprojnë në vetvete dhe nuk janë të përdorur nga grupet rebele, dëshmuan zyrtarët e mbrojtjes përpara Komisionit për Shërbimet e Armatosura në Kongres,- thuhet në shkrimin e CNN.

Kush është nëntetari Aleksandër Peçi

Nëntetar Aleksandër Jak Peçi, lindur me 26.09.1988, në fshatin Lekbibaj të Tropojës dhe banues në Bathore, Tiranë.

Është titulluar ushtarak aktiv me gradën profesionist i parë, në Rep. Usht. Nr.1001.

Pas kryerjes me sukses të Kursit Bazë të Forcave Speciale, me datën 16.01.2011, është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale, me detyrë sPeçialist armatimi në grupin e parë special të kompanisë së aksioneve Speciale ujore në Batalionin e Forcave Speciale.

Nëntetar Aleksandër Peçi ishte ushtarak i dalluar për disiplinë dhe moral të lartë në kryerjen e të gjitha detyrave të ngarkuara nga eprorët e tij.

Nga data 16.01.2012, është dërguar me mision luftarak (EAGLE-4), në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale, në Kandahar Afganistan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›