Aleksandropolis, qyteti ku kryqëzohen korridoret
Aleksandropolis, porti i madh i Egjeut, është arena e re e përplasjes së interesave rivale të Moskës e Uashingtonit...
A do të jetë porti i Aleksandropolisit "qytet rus në Greqi", apo qendër e energjetikës botërore? Për dekada me radhë, Aleksandropolis ka qenë në mesin e rrugës Selanik-Stamboll dhe porti i tij është përdorur nga tregtarët e gazit, mbi bazën e interesave të tregtarëve kryesorë të naftës e gazit në botë.
Qyteti, i cili ka qenë adresa e të vetmes konsullatë persiane, në hartën otomane të rrugës për në Vjenë, në Jug të Evropës, pas pauzës 80-vjeçare është vënë prapë në fokusin e Fuqive të Mëdha.
"Naftësjellësi i parë ortodoks" në Evropë dhe gazsjellësi i Azerbajxhanit, i ndërtuar sipas vullnetit të Uashingtonit, do t‘i kryqëzojnë rrugët tamam në Aleksandropolis, kryeqytetin e zonës greke Evros.
Zona kufitare dhe qyteti i fundit i BE-së në rrugën për në Lindje, po i kthehet hartës gjeostrategjike të botës.
"Njoftimi për fillimin e punimeve për ndërtimin e naftësjellësit Burgas-Aleksandropolis, që do të transportojë naftën ruse duke anashkaluar Bosforin në Mesdhe dhe gazsjellësi azerbajxhanas, i cili do të furnizojë tregun evropian nëpërmjet Turqisë e Greqisë, i kanë sjellë Evros-it dhe portit të Aleksandropolisit, rëndësinë e re ekonomike e gjeostrategjike.
"Po përpiqemi të përgatitemi për ndryshime, që varen pak prej nesh", tha Nikolaos Zambunidis, prefekt i zonës së Evros-it, për gazetën "Politika".
Për shkak të naftësjellësit, Aleksandropolis brenda një viti e gjysmë do të ketë terminalin e tankerave në Egje: Ndërkohë, disa firma ndërtimi do ta thellojnë portin e tanishëm deri në 13 m dhe do të ndërtojnë korridorin detar të gjatë gati 6 km, do të ndërtojnë depozitat e mëdha të naftës, ndoshta edhe rafinerinë. Do të jetë një botë tjetër, krejt e re në brigjet kufitare të lumit Marica.
Greqia do të përfitojë nga kalimi i naftësjellësit në zonën e Evros-it, një shumë të madhe parash: një euro për kalimin e çdo toni naftë. Priten, të paktën 35 milionë tonë në vit, theksoi Zambunidis.
Athina zyrtare i ka premtuar prefekturës verilindore të Greqisë se të gjitha të ardhurat nga nafta do t‘i mbeten rajonit për zhvillimin e tij, por në këtë pjesë të Greqisë akoma dyshojnë.
Aleksandropolis gjendet në qendër të lojërave energjetike të të huajve dhe mund të ketë përfitime nga prania e tyre. Kur të modernizohet porti, mund të arrihet për vetëm 15 orë deri në Sheshin e Kuq. Evros ka pasur gjithmonë lidhje të ngushta me Rusinë.
Inxhinieria ushtarake ruse, në fund të shekullit 19, në kohën e luftërave të fundit me Perandorinë Osmane, ka bërë planin urbanistik të Aleksandropolisit.
Nafta do të jetë burim mjetesh financiare për forcimin e ekonomisë dhe lidhjen me vendet e tjera, si Bullgaria, Turqia, Rumania e Serbia, por së pari Rusia.
"Aleksandropolis mendohet si qyteti rus në Greqi. Aty jetojnë 25000 banorë me origjinë ruse dhe ne shpresojmë se naftësjellësi do të sjellë mijëra turistë rusë në këtë pjesë të Greqisë, me rivënien e linjës direkte ajrore mes Moskës e Aleksandropolisit. Duket një e ardhme e ndritur", thekson Zambunidis.
Ardhja e naftësjellësit ortodoks, naftësjellësi i parë në Evropë pas 40 vitesh, nuk i gëzon shumë autoritetet e qytetit me 55 mijë banorë.
"Nuk jemi shumë të kënaqur, pse naftësjellësi përfundon tamam këtu. Ardhja e tankerave këtu mund ta kërcënojë lehtësisht jo vetëm ujin e kthjellët, por edhe fatin e rreth 150 familjeve të peshqve. Megjithëse Presidenti rus Putin premtoi kohë më parë se do të përdoret ndërtimi më modern i naftësjellësit, nuk ka qenë plotësisht bindës. Evros është ruajtur me natyrë të paprekur: Çfarë duhet të bëjmë nëse rrjedh nafta, ose ndodh ndonjë katastrofë tjetër ekologjike me këtë naftësjellës. Askush nuk do të donte që Aleksandropolisi të bëhet i ngjashëm me qytetet e naftëtarëve të Botës së Tretë - i shfrytëzuar e i braktisur. P.sh., nuk është parashikuar degëzim i naftësjellësit për nevojat e provincës sonë.
Vendosja gjeografike nuk e ka ndihmuar shumë deri tani Aleksandropolisin.
Në 100 vitet e fundit e kanë sunduar me radhë rusët, turqit, bullgarët e grekët. Tani duket se të huajt na kanë zbuluar prapë: gjithnjë e më shumë na vizitojnë ambasadorët e huaj dhe na pyesin për punët e reja", thotë Jorgos Aleksandridis, kryebashkiaku i Aleksandropolisit.
Zyrtarë të ndryshëm u takuan në Aleksandropolis, me rastin e hyrjes së gazsjellësit strategjik në tokën e BE-së.
Gazsjellësi, gati 300 km, është i pari që do të transportojë gaz nga rajoni i Kaspikut për në Evropë, duke anashkaluar Rusinë.
Përveç Kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, e Kryeministrit turk, Rexhep Erdogan, në solemnitetin e inaugurimit të gazsjellësit ishin dhe përfaqësues të qeverisë amerikane- ministri i Energjetikës, Samuel Bodman, dhe ambasadori i ri i SHBA-së në Athinë, i cili arriti në Aleksandropolis para se sa të merrte letrat akredituese nga Presidenti grek.
"Athina zyrtare është nën presionin e madh të Rusisë e SHBA-së, për shkak të biznesit energjetik", vlerëson e përditshmja "Kathimerini".
Aleksandropolis, porti i madh i Egjeut, është arena e re e përplasjes së interesave rivale të Moskës e Uashingtonit.
Hollësitë e ndërtimit të naftësjellësit Burgas-Aleksandropolis dhe propozimi rus për ndërtimin e një gazsjellësi të ri, nga Deti i Zi deri në Evros, do të jenë temat kryesore të bisedimeve të Kostas Karamanlisit dhe Vladimir Putinit më 18 dhjetor në Moskë.