E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peqin, tentohet vjedhja e bankës

Një bandë grabitësish sulmon një bankë në Peqin. Policia lokale njoftoi dje se persona ende të paidentifikuar kanë nxjerrë jashtë funksionit kamerat e sigurisë në agjencinë e "Raiffeisen Bank" në Peqin dhe më pas kanë thyer me forcë derën kryesore të ndërtesës, me qëllim vjedhjen e parave që ndodheshin në kasafortë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02.00 të mëngjesit të ditës së djeshme, në lagjen "Xhamia" të Peqinit, ku ndodhen zyrat e agjencisë së "Raiffeisen Bank", dikur Banka e Kursimeve.

Hajdutët

Sipas policisë, mendohet të kenë qenë më shumë se tre persona ata që rreth dy orë pas mesit të natës, të pajisur me leva hekuri dhe të maskuar me kapuçë të zinj, i janë afruar godinës ku ndodhen zyrat e agjencisë së "Raiffeisen Bank" në Peqin. Policia tha se autorët e grabitjes së mbetur në tentativë janë parë të lëvizin në afërsi të bankës nga rojet e dyqaneve që ndodhen pranë bankës, por për shkak të errësirës, rojet nuk kanë mundur të vënë re qysh në fillim se ata ishin të maskuar.

Personat e paidentifikuar kanë thyer fillimisht kamerat e sigurisë, që ndodheshin jashtë dyerve të bankës. Më pas, me levat e hekurit, grabitësit kanë arritur të hapin derën kryesore të agjencisë së "Raiffeisen Bank", por nuk kanë mundur të depërtojnë më larg se në korridorin e kësaj agjencie, pasi sistemi i alarmit ka dhënë menjëherë sinjal. Vetëm kur sistemi i alarmit u ndez me zhurmë, rojat e dyqaneve që ndodheshin pranë bankës, u afruan për nga vendi i ngjarjes dhe sipas dëshmive të dhëna në polici, panë të paktën 2 persona të maskuar të largoheshin me vrap mes pallateve.

Policia

Një grup i gatshëm i Komisariatit të Policisë së Peqinit ka mbërritur pranë agjencisë së "Raiffeisen Bank" në orën 02.15 minuta të mëngjesit, fiks pesë minuta pasi kishte rënë sinjali i alarmit. Një oficer i policisë kriminale në Peqin, tregoi për "Shqip" se sistemi elektronik i sigurimit të bankës është i lidhur direkt me policinë. Kështu që sirena e alarmit është dëgjuar njëherësh në zyrat e bankës dhe në ato të policisë.

Por, megjithëse arritën shpejt, policët nuk mund të gjenin në vendin e ngjarjes asnjë nga autorët e tentativës për vjedhje, pasi ata ishin larguar sapo ra sinjali i alarmit. Policia rrethoi menjëherë vendin e ngjarjes, ndërsa shoqëroi për të marrë në pyetje disa roje të dyqaneve që ndodhen pranë agjencisë së "Raiffeisen Bank" në Peqin.

Hetimet

Sipas burimeve zyrtare të policisë, nga gjurmët e gjetura në vendngjarje është rindërtuar skena e tentativës për grabitje dhe është përforcuar mendimi se personat që kanë marrë përsipër këtë grabitje kanë pasur dijeni për funksionimin e sistemit të alarmit, por kanë bërë një gabim në momentin që kanë kaluar derën kryesore. Një burim policor tha se grabitësit kishin arritur me sukses të nxirrnin jashtë funksionit kamerat e sigurimit, si dhe të hapnin derën kryesore pa rënë alarmi. Por, ata nuk kishin treguar kujdes kur ishin gjendur në korridoret e bankës dhe kanë aktivizuar alarmin. Një oficer i policisë gjyqësore tha se nga përshkrimi i bërë prej dëshmitarëve okularë të ngjarjes, është bërë e mundur të ngushtohet rrethi i personave të dyshuar për këtë grabitje. Burimet zyrtare të policisë njoftuan se në orët e para të mëngjesit të djeshëm janë shoqëruar në polici tre persona të dyshuar për këtë tentativë vjedhjeje, por deri në mbrëmje ata nuk janë arrestuar, pasi mungojnë provat për vërtetimin e dyshimeve.

Rastet

Kjo është hera e dytë brenda këtij viti, kur banka më e madhe e nivelit të dytë në Shqipëri bëhet objekt i keqbërësve. Në fillim të vitit, më 9 janar, një grup adoleshentësh arritën të hynin brenda ambienteve të degës së "Raiffeisen Bank" në Bulqizë, duke përfituar nga mungesa e energjisë elektrike. Adoleshentët arritën të vidhnin vetëm një sasi monedhash metalike, në vlerën e 300 mijë lekëve dhe u zbuluan e u arrestuan disa ditë më vonë, teksa tentonin t‘i konvertonin monedhat e vjedhura në kartëmonedha. Sulmi i dytë ndaj "Raiffeisen Bank" u shënua javën që shkoi, në afërsi të Shkodrës, kur makina që transportonte paratë nga Tirana në Shkodër u godit nga një objekt i fortë, që dëmtoi xhamin e blinduar, por që, sipas policisë, nuk ishte plumb.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›