BE mbyll misionin për doganat në Shqipëri
Misioni i Bashkimit Evropian për Asistencën Doganore dhe Fiskale në Shqipëri (EU CAFAO-Albania) do të përfundojë aktivitetin e tij në fund të muajit dhjetor 2007. Por, tiparet e programit të ri që do të quhet TACTA, Asistenca Teknike e BE-së për Administratën Doganore dhe Fiskale (Technical Assistance to Customs and Taxation Administrations), do të fillojnë menjëherë në fillim të muajit janar 2008. Në takimin përfundimtar që u organizua me Helmuth Lohan, ambasador i Delegacionit të KE-së në Shqipëri, Florion Mima, zv/ministër i Financave, Përparim Dervishi, drejtor i përgjithshëm i Doganave, ambasadorët e Italisë, Spanjës e Gjermanisë dhe personalitete të tjera të administratave doganore dhe tatimore, së bashku me shefin e Misionit EU CAFAO-Albania, Vito Malanga, dhe të gjithë personelin e kësaj zyre, u shpreh vlerësimi i këtij misioni për asistencën doganore dhe fiskale në Shqipëri. Drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Doganave, Përparim Dervishi, u shpreh se gjatë dhjetë viteve të fundit Misioni EU CAFAO ka dhënë një asistencë të vyer në të gjitha fushat e ndryshme të ekspertizës. Shefi i Misionit EU CAFAO-A falënderoi homologët shqiptarë për asistencën e tyre dhe tha se megjithëse ndiente keqardhje për mbylljen e misionit, ishte krenar, sepse kishte pasur "nderin të punonte në këtë vend të mrekullueshëm dhe se, me ndihmën e ekspertëve më të mirë shqiptarë, Misioni kishte arritur rezultate mjaft të mira dhe të rëndësishme". Komisioni Evropian e ngriti Misionin e Asistencës Doganore në Shqipëri (CAM-A) në qershor të vitit 1997, si pjesë e angazhimit të tij për të mbështetur Shqipërinë gjatë procesit të Stabilizim-Asociimit. Midis viteve 1996 dhe 2005 shuma e dhënë Ballkanit Perëndimor është mbi 170 milionë euro. Në mars 2006, Misioni u zgjerua duke përfshirë administratën tatimore dhe për këtë arsye tashmë quhet Misioni i BE-së për Asistencën Doganore dhe Fiskale në Shqipëri (EU CAFAO-Albania). Misioni administrohet nga Eurodoganat, një konsorcium i shërbimeve doganore të shteteve anëtare të BE-së, përmes të cilit ofrohet asistencë doganore dhe fiskale në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nën administrimin e Eurodoganave vendet e rajonit kanë përfituar kontrata prej 34.52 milionë euro, ndërkohë që buxheti për Shqipërinë për dy vitet e fundit ka arritur shifrën 5.65 milionë euro. Gjatë kësaj kohe, Misioni EU CAFAO ka asistuar, përmes të tjerash, për laboratorin doganor, analizën e të dhënave dhe gërmimin e të dhënave, procedurat doganore, kompjuterizimin e tatimeve, strukturat tatimore të zbatimit të ligjit, lontrollin e brendshëm të tatimeve dhe doganave, menaxhimin e burimeve njerëzore, asistencën ligjore, iniciativën kundër krimit të organizuar, akcizën, TVSH-në, planet orientuese të BE-së dhe kodin e mënyrës së shërbimit në veprimtarinë e tatimeve. Për më tepër, EU CAFAO ka asistuar gjithashtu homologët shqiptarë me vizita të ndryshme studimore, siç ishte ajo në Spanjë - një modul për mbijetesën në det, në rast të braktisjes së anijes, në Estoni në lidhje me krijimin e njësisë së re për hetimin e krimit tatimor, Danimarkë për nomenklaturën e kombinuar, MB për kontrollin e brendshëm si për tatimet ashtu edhe për doganat, MB për kontrollin a-posteriori, Itali për procedurat doganore dhe Gjermani për seksionet e trajnimit të drejtorive të doganave dhe tatimeve. Por, megjithëse EU CAFAO-Albania mbyllet në dhjetor 2007, Komisioni Evropian vazhdon të jetë i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë gjatë procesit të Stabilizimit-Asociimit.