Skadon 10 dhjetori, Ban Ki Mun mbledh Këshillin e Sigurimit
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, dje në mbrëmje, i dorëzoi raportin e Trojkës për Kosovën, Këshillit të Sigurimit, i cili në mbledhjen e 19 dhjetorit do të diskutojë për këtë dokument. Ban Ki Mun ka shprehur shqetësim për mungesën e përparimit në procesin për statusin e Kosovës.
Ndërkaq, me rastin e përfundimit të procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës dhe dorëzimin e raportit të Trojkës te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ekipi i Unitetit ka lëshuar një deklaratë të posaçme, në të cilën ndër tjera, rikonfirmohet gatishmëria për zbatimin e planit të Ahtisarit dhe përsëritet zotimi që gjendja e sigurisë në Kosovë të mbetet e qetë. Në vazhdim, sjellim në tërësi Deklaratën e Ekipit të Unitetit.
"Për më shumë se dy vjet si Ekip i Unitetit, që ka përfaqësuar popullin e Kosovës, kemi marrë pjesë në negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës. Bisedimet e fundit të udhëhequra nga treshja SHBA-BE-Rusi, që përfundojnë më 10 dhjetor, nuk kanë sjellë asnjë rezultat të pranueshëm për Beogradin dhe Prishtinën.
Pas tetë vjetësh paqartësie, populli i Kosovës ka nevojë urgjente për qartësi të së ardhmes së vet. Propozimi i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, z. Marti Ahtisari, duke përfshirë edhe rekomandimin e tij për pavarësi të mbikëqyrur, si dhe pakon e masave për mbrojtjen e minoriteteve të Kosovës, ofron një bazë solide për ta çuar Kosovën dhe rajonin drejt një të ardhmeje më të ndritur euroatlantike.