E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Raiffeisen Bank": Kemi marrë masat që degët tona të jenë të sigurta

Asnjë lek nuk është vjedhur në degën e "Raiffeisen Bank" në Peqin dhe drejtuesit e kësaj banke garantojnë klientët se janë marrë të gjitha masat e nevojshme, që puna në këtë filial të vijojë normalisht ditën e hënë. Vilma Baçe, drejtore për marrëdhëniet me publikun në "Raiffeisen Bank Albania", shpërndau dje një deklaratë për mediat, ku thekson se asgjë më tepër se sa hapja e derës nuk ka ndodhur në degën e bankës në Peqin.

Deklarata

Me anë të kësaj deklarate, "Raiffeisen Bank" njofton se në degën e Peqinit, e cila është hapur natën e së shtunës duke u gdhirë e diel nuk është vjedhur asnjë vlerë monetare dhe nuk është arritur të bëhet asnjë dëm. Keqbërësit janë larguar me shpejtësi pas rënies së alarmit. Alarmi, i cili është aktivizuar menjëherë pas hapjes së derës, ka njoftuar forcat e rendit, të cilat kanë arritur në degën e Peqinit brenda pak minutash, por grabitësit janë larguar me vrap. Policia e Peqinit po heton në lidhje me ngjarjen e një nate më parë. "Në emër të "Raiffeisen Bank" unë dua të falënderoj forcat e rendit të qytetit për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar", tha Sokrat Dylgjeri, drejtor i sigurisë në "Raiffeisen Bank". Dega do të jetë e hapur të hënën për biznesin e zakonshëm bankar, duke mos krijuar asnjë problem në zhvillimin e biznesit dhe në ofrimin e produkteve e shërbimeve bankare për klientët. Dega e Peqinit, e cila është hapur gjatë mëngjesit të ditës së diel, është e pajisur me të gjitha sistemet mbrojtëse, ashtu si të gjitha degët e tjera në vend. "Raiffeisen Bank" merr të gjitha masat që këto sisteme të jenë funksionale dhe në gatishmëri të plotë.

Struktura

"Raiffeisen Bank" në Shqipëri udhëheq rrjetin më të madh bankar në vend me afërsisht 90 njësi dhe rreth 950 punonjës. RZB bleu 100 për qind bankën më të madhe të Shqipërisë, Bankën e Kursimeve dhe po zbaton në të lidershipin operativ. RZB është bankë lider në Evropën Qendrore dhe Lindore (CEE) dhe është e përkushtuar fuqishëm në këtë rajon, që prej themelimit të filialit të parë të saj në Hungari, në vitin 1986. Që nga ajo kohë, është krijuar një rrjet i plotë bankar, duke mbuluar 16 tregje me 15 banka, dy zyra përfaqësimi dhe dhjetëra kompani të specializuara në varësi. RZB aktualisht është shumë aktive në vendet fqinje të Shqipërisë, me banka që operojnë në Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Rumani dhe Bullgari, po ashtu edhe në vendet kufitare si Mali i Zi dhe Kosovë. RZB ka arritur pozicione të mira në këto tregje, duke pasur pjesë të konsiderueshme të tregut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›