E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK-ja, fitore e dyfishtë, por humb Prishtinën

Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit, triumfon sërish në zgjedhjet e Kosovës, duke marrë shumicën e kryetarëve të komunave, megjithëse ka humbur kryeqytetin, Prishtinën. Komisioni Qendror Zgjedhor, bëri të ditur dje rezultatet paraprake për balotazh në 23 komuna të Kosovës. Sipas KQZ-së, Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar fitore në katërmbëdhjetë komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës në gjashtë komuna, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në tri komuna. Për Komunën e Prishtinës ka shënuar fitore Isa Mustafa nga radhët e LDK-së me 58.8 për qind të votave. Rezultatet përfundimtare pritet të jepen në fund të javës së ardhshme. Vetëm 31.8 për qind të popullatës i janë përgjigjur thirrjes për të dalë në raundin e dytë të zgjedhjeve në balotazh për kryetar të 23 komunave të Kosovës. Këshilli Qendror i Zgjedhjeve, sot në një konferencë për media, bëri të ditur rezultatet preliminare për balotazh në këto komuna. Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar fitore në katërmbëdhjetë komuna si: Gjilan me 67.4 për qind, Dragash me 54.8 për qind, Kaçanik me 75.3 për qind, Klinë me 57 për qind, Kamenicë me 69.8 për qind, Mitrovicë 55.9 për qind, Lypjan me 63.5 për qind, Rahovec me 62.3 për qind, Prizren me 55.0 për qind, Shtime me 71.3 për qind, Ferizaj me 62.8 për qind, Viti me 52.4 për qind, Vushtrri me 57.5 për qind dhe Malishevë me 54.9 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar fitore në këto komuna: Prishtinë me 58.8 për qind, Istog me 63.4%, Fushë Kosovë me 55.9%, Obiliq me 51.5%, Podujevë me 54.1% dhe Suharekë me 57.4 për qind. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shënuar fitore vetëm në tri komuna: në Deçan me 68.1 për qind, Gjakovë me 56.5% dhe Pejë me 67.9 për qind. Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, procesin zgjedhor e vlerësoi shumë korrekt, duke thënë se KQZ-ja ka bërë të pamundurën që të mos ketë manipulime gjatë numërimit të votave. "Të dy proceset, si ai i 17 nëntorit dhe ky i fundit, janë procese të qeta dhe të zhvilluara jo vetëm në frymën demokratike, por edhe të atyre standarde më të avancuara ndërkombëtare, nga aspekti i mungesës së incidenteve dhe manipulimeve, procesi si tërësi është i padëmtuar dhe plotësisht i besueshëm", tha Baraliu. Ndërkaq Hugh Fulton, kryesues i divizionit të zgjedhjeve pranë OSBE-së, tha se ende nuk janë numëruar fletëvotimet me kusht dhe votat me postë, mirëpo, nuk beson që rezultatet përfundimtare mund të sjellin ndryshime. "Duhet të pranojmë dhe të shohim rezultatet e fletëvotimeve me kusht dhe atyre me postë, jemi munduar të përqendrohemi në rezultatet preliminare, nëse këto fletëvotime mund të ndryshojnë ndonjë rezultat apo jo, ende nuk dihet nëse mund të ndryshojnë këtë", tha Fulton. Kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së Baraliu, pjesëmarrjen e votuesve në 31.8 për qind e cilësoi shumë kënaqshme. Në këtë konferencë u bë e ditur se kryetar i Komunës së Prishtinës është zgjedhur Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 58.8 për qind, kundër kandidatit të tij Fatmir Limaj nga radhët e PDK-së me 41.2 për qind. Me rezultatet përfundimtare për balotazh në 23 komuna të Kosovës, KQZ-ja pritet të dalë në fund të javës së ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›