E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alen Jensis sjell “Kohën e trazuar” në Galerinë Kombëtare



Një ndër fotografët më të njohur belgë siç është Alen Jensis (Alain Janssens) çel sot në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën e titulluar “Kohë e trazuar” (Temps brasse). Punët e përgjedhura me këtë rast janë bërë gjatë periudhës 1995-2004 dhe i përkasin koleksioneve të Bibliotekës Kombëtare të Parisit, Muzeut të Fotografisë në Charleroi, Muzeut Elysee në Lozanë, koleksionit Polaroid në Ofenbah etj. Gjithsej do të jenë 36 fotografi të realizuara në teknikën bardh e zi, të cilat transmetojnë mjeshtërinë dhe vizionin e veçantë të artistit belg, por edhe tendencat e fotografisë artistike moderne e bashkëkohore sot. Ekspozita “Kohë e trazuar” zhvillohet në kuadër të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës. Ende nuk bëhen të ditura për mediat detaje të tjera lidhur me punët e kësaj ekspozite, por sa i përket artistit belg mund të thuhet se ai i përket brezit të fotografëve të gjysmës së dytë të shek.XX dhe aktualisht është pedagog i fotografisë në Institutin e Arteve të Bukura në Saint Luc në Liege. Siç tregon vetë Jensis, artisti është ndikuar fuqishëm në karrierën e vet nga fotografi i njohur Hubert Grooteclaes. Ai ka marrë pjesë në dhjetra ekspozita kolektive e vetjake të fotografisë, duke filluar nga viti 1979, koha kur ekspozoi për herë të pare në Muzeun e Arkitekturës në Liege. Po kështu, Jensis është pjesëmarrës i aktiviteteve të ndryshme ndërkombëtare; në Muzeun e Fotografisë në Charleroi (1991), “l’Espace Photographique Contretype, Bruksel”, Galeria e Forumit të Tolouses në Francë etj. Në ekspozitat e zhvilluara në grup, fotografi belg ka fituar çmimin e fotografëve të rinj europianë (Frankfurt, 1986), ndërkohë që punët e tij kanë qenë pjesë e evenimenteve të tjera si “Trienalja e tretë Ndërkombëtare e fotografisë” (Charleroi, 1987), “Muaji i fotografisë” (Liège, 1987), “Imagine” (Bruksel, 1989), “Histori dhe tematikë” në Muzeun e Fotografisë (Charleroi, 1993) etj.
P. GROSI

4 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›