Te dera e Margaritës
Gustav NADO
N’agim te dera e Margaritës,
Një e trokitur lehtë u ndje:
- O yll i dritës,
-Hape! - S’e hap, po s’the kush je!
- Kush jam?... O lulja Margaritë,
S’e prisje ti, me siguri
Këtë vizitë...
Jam vetë Fati, moj perri.
- Fati! - çuditet pëllumbesha -
Vërtet? Të lutem më lejo,
Ja, shpejt u vesha,
Dhe aty më ke! - gjegjet ajo.
- Ti mos u shqetëso, moj bijë,
Po eja çilmë derën shpejt:
Gjithkush ka ditë
Që unë jam i verbër krejt.
- Ashtu vërtet, po unë ndruaj,
Dhe nga vetvetja turp un’ kam.
(Jo nga nj’i huaj!)
Të dal në derë kështu si jam.
Të lutem, prit të bëhem gati,
Aherë vij të përshëndes.
- Mirë, - “tha Fati”, –
Po rri këtu e po të pres.
- Të presësh? Ti? – qesh vajza e dlirë –
Ma kënda të besoj, vërtet,
Po dihet mirë
Që Fati kurrë nuk të pret!
S’i thotë Fati ato që thua,
U tradhëtove keq, or zot.
S’më rren dot mua,
Po shiko punën, mos prit kot.
Gënjeshtra, siç e pe, nuk zgjati:
Të njoha shpejt nga ky tipar,
Ti nuk je Fati
Po je Amuri lozonjar.
Zemra e nënës
Zhan RISHPEN
Na ish një djalë, një sylesh,
E lon-lan-lerë,
E lon-lan-la,
Na ish një djalë, një sylesh
Q’donte një, po ajo s’e desh.
“Më sill për qenin - i thotë ajo, -
E lon-lan-lerë,
E lon-lan-la.
Më sill për qenin - i thotë ajo -
Zemrën e nënës në më do!”
Shkon te e ëma dhe e vret,
E lon-lan-lerë
E lon-lan-la,
Shkon te e ëma dhe e vret,
I merr zemrën dhe kërcet.
Siç vraponte, shket e bje,
E lon-lan-lerë,
E lon-lan-la,
Siç vraponte, shket e bje,
Zemra u rrukullis përdhé.
Edhe ndërsa zemra shket,
E lon-lan-lerë,
E lon-lan-la,
Edhe ndërsa zemra shket,
Dëgjon zemrën që i flet.
Zemra i thoshte me vajtim,
E lon-lan-lerë,
E lon-lan-la,
Zemra i thoshte me vajtim:
“Mos u vrave, o biri im?”
Kalonte fati...
Zherar dë NERVAL
Kaloi aty e njoma vashë,
E gjallë, e shpejtë, xixëllonjë:
Një trëndafl në dorë i pashë,
Një këngë kish të re në gojë.
Është mbase e vetmja në botë
Që mund ta doja e të më donte
E që në terrin tim të plotë
Me një vështrim të më ndriçonte.
Po jo, më s’jam i ri tani...
Pra lamtumirë o rreze e bekuar,
Aromë, vashëz, harmoni...
Kalonte fati për t’u zhdukur!
Përktheu Sotir Caci
4 Maj 2009