E Diel, 1 Nëntor 2026

Alergjia dhe Astma në rritje, mjekët apelojnë për kujdes

TIRANË- Rreth 30-40 % e shqiptarëve janë evidentuar me sëmundje alergjike, ndërsa rreth 3.4 % e popullsisë janë të sëmurë me astma. Sipas studimeve të ndryshme, prevalenca e astmës në vendin tonë po rritet, ndërkohë që mjekët këshillojnë të tregohet kujdes sidomos në stinën e pranverës, e cila shton rrezikun për shfaqjen e alergjive.

Sipas mjekëve, të gjithë duhet të tregohen të kujdesshëm në këtë stinë dhe të zbatojnë këshillat e rekomanduara nga specialistët. Kujdes i veçantë duhet treguar me fëmijët, për të cilët mjekët thonë se duhet të dalin në ambientet e jashtme gradualisht, por edhe të moshuarit e të sëmurët kronikë.

Shfaqja e kësaj sëmundje është karakteristike më shumë për moshat e reja, kryesisht femijet dhe të rinjtë. Ndërsa mund të vazhdojë të shfaqet tek personat deri ne moshën 50-60 vjeçare. Shkaktarët e kësaj sëmundjeje janë alergentët e ndryshëm, duke filluar nga polenet e luleve, parazitoza te ndryshme, substanca kimike që ndotin ambientin, detergjentët, pajisjet kozmetike dhe produkte nga kafshët shtepiake.

Ndotja e ambientit dhe ajrit është ndër shkaktarët kryesore që ka rritur numrin e personave te prekur nga alergjite dhe nga astma. Faktorë te tjere qe ndikojne ne shfaqjen e ketyre semundjeve jane edhe ato te trasheguara apo rishfaqja pas disa viteve, nëse nuk është bërë kurim i plote. Mjekët përmendin si një ndër faktorët dhe ndryshimin dhe urbanizimin e shpejtë.

Astma
Në studimet qe jane kryer ne Shqiperi, pjese e studimeve ndërkombëtare, vihet re se prevalencat e astmës janë rritur nga rreth 2.6 % për moshën 13-14 vjeç në vitin 1995, në 3.4 % në vitin 2000. Sipas të dhënave botërore, prevalenca e astmës në vendet e zhvilluara arrin deri ne 32.2%. Astma mund të konsiderohet epidemike me 300 milion raste në botë, ose 20 % e popullsisë së prekur. Kjo patologji mund të shoqërojë pacientin gjatë gjithë jetës.

Shoqata Shqiptare e Alergologjisë dhe Imunologjisë Klinike ka përpiluar protokolle te detajuara, duke u bazuar në udhërrëfyes ndërkombëtarë të përshtatura për Shqipërinë që në vitin 2005, të cilat jane përditësuar çdo vit me të rejat e fundit. Falë mbështetjes së Ministrisë së Shëndetësisë preparatet për trajtimin e astmës janë futur tashmë në skemat e barnave të rimbursueshme, duke i dhënë mundësi të gjithë shtresave të popullatës që të arrijne te marrin mjekimin e tyre të vazhdueshëm, falë të cilit pacientët mund të arrijnë të bëjnë një jetë normale, pa asnjë kufizim për shkak të sëmundjes.

Astma është një sëmundje kronike e rrugëve të frymëmarrjes që karakterizohet nga simptoma si mbajtje fryme, fishkëllima, shtrëngim kraharori dhe kollë. Astma eshtë një patologji që prek te gjitha moshat, ndërsa simptomat e astmes variojnë përgjatë viteve, si dhe nga individi në individ. Megjithëse astma nuk mund të shërohet, ajo mund të trajtohet dhe të kontrollohet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rendit astmën në vendin e 6, duke u bërë kështu një barrë për individin, për familjen dhe ekonominë e vendit. Astma alergjike është forma më e zakonshme. Rreth 90% të të gjitha rasteve me azëm janë alergjike dhe zakonisht zhvillohet në fëmijëri. Astma bronkiale është një nga sëmundjet kronike më të zakonshme tek fëmijët. Sot në botë 1 në 4 fëmijë vuan nga astma.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›