E Diel, 1 Nëntor 2026

Alergjia nga myku i shtëpisë, si të mbrohemi

 

AIDA MALAJ

Ushqimet që nuk ruhen mirë, muret e patinuara apo të lyera me plastiko apo hidromat, sistemi i kondicionimit janë disa nga vendet “ideale” ku shfaqet dhe shumohet myku që rritet në ambientin e shtëpisë. Kjo është një nga format e shfaqjes së alergjisë, shenjat e të cilave janë të njëjta si me çdo formë alergjike tjetër. Në një intervistë për gazetën, mjekja alergologe, Mirela Hitaj shpjegon me detaje se si shfaqet dhe si mund të mbrohemi nga kjo formë alergjie:
Doktoreshë është e vërtetë që gjatë kësaj periudhe shfaqen alergjitë nga myku që ndodhen në ambientet e brendshme të shtëpisë?
Në të vërtetë alergjia që shkaktohet nga myku i shtëpisë, nuk është sezonal, si i tillë ai është i pranishëm gjatë gjithë vitit. Por në kuadrin e rritjes së lagështirës së ambientit të jashtëm dhe ndryshimeve të klimës, mund të themi që bëhen maë evidente.
Çfarë karakteristikash kanë alergjitë nga myku i shtëpisë?
Të gjitha format e alergjisë kanë pak a shumë të njëjtin kuadër klinikë, dhe alergjitë që shkaktohen nga këto mikroorganizma nuk bëjnë përjashtim. Shenjat janë: teshtitje, sekrecione të ujshme nga hundët, skuqja dhe kruarja e hundës që çojnë deri në bllokimin herë të njërës e herë të anës tjetër të hundës, që ndryshon në mënyrë të vazhdueshme. Mund të shfaqet dhe: skuqje, kruarje dhe lotim sysh.
Cilat janë ambientet “ e rrezikuara” për t’u bërë burim alergjish?
Kushtet optimale për zhvillimin e mykut të shtëpisë janë temperaturat 18° deri në 32°C dhe një lagështirë deri në 65%.
Mund të gjendet në ushqime që nuk janë konservuar mirë, në veshje te muret e patinuara dhe ato të lyera me plastiko apo hidromat, në letrat e mureve, në sistemin e kondicionimit.
Çfarë duhet të dinë personat që janë alergjik ndaj lagështirës?
Së pari duhet të sigurohen dhe të vendosin një diagnozë të saktë nëse janë alergjik apo jo nga myku i shtëpisë. Nëse kjo konfirmohet atëherë duhet të tregohen shumë të kujdesshëm në ambientin ku jetojnë. Kështu duhet të tregohen të kujdesshëm në ajrosjen e shpeshtë të shtëpisë, ruajtjen e nivelit të lagështirës së ambientit ku jetojnë. Duhet të shmangin përdorimin e letrave të murit, parketeve, mureve me plastiko. Po ashtu nuk duhet të mbajnë në dhomën e gjumit apo dhe në sallon, lule dekorative, sepse mund të jenë një burim për shfaqjen e mykut. Mbi të gjitha duhet të pastrojnë herë pas here filtrat e kondicionerëve, dhe të mbajnë aspirator në vendin ku gatuhet, sepse avujt grumbullohen dhe krijojnë terren për shfaqjen e mykut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›