E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkia të largojë shitësit ambulantë nga shkollat”

 

zirina llambro

Shitësit ambulantë që nuk kanë marrë lejen nga Drejtoria e Higjienës nuk do lejohen të tregtojnë produkte pranë shkollave. Ky institucion ka mbyllur dje edhe disa fast-foode pranë gjimnazit "Ismail Qemali", ku dy ditë më parë u helmuan nga ushqimi disa nxënës. Por specialistët e Drejtorisë së Higjienës pohojnë gjithashtu se është kompetencë e Policisë Bashkiake që të ndalojë shitjen e produkteve të pakontrolluara pranë ambienteve shkollore. "Duhet të ndërhyjë Policia Bashkiake, pasi inspektorët tanë vërtetë ushtrojnë kontrolle dhe përcaktojnë nëse plotësohen standardet, por nuk mund të ndalojnë apo të zhvendosin shitësit ambulantë", sqarojnë specialistët e Drejtorisë së Higjienës. Ata i bëjnë apel nxënësve që të tregohen të kujdesshëm në blerjen e produkteve ushqimore. "Përveç atyre ushqimeve fast-food, që tregtohen brenda ambienteve të shkollës, subjekte këto që janë të pajisura me lejen përkatëse të higjienës, shitësit e tjerë që zbarkojnë sa herë nxënësit dalin në pushim nuk janë të sigurt", shprehen specialistët. Ky problem është ngritur disa herë prej tyre por për shkak të moskoordinimit mes institucioneve të tjera, situata mbetet e njëjtë. Pranë shkollave 9 vjeçare ka me dhjetëra shitës ambulantë që fitojnë jo pak me hamburgerë e sanduiçë. Këto produkte qëndrojnë gjithë ditën në diell e në mes të rrugës dhe rastet e helmimeve kanë qenë jo pak. Dy ditë më parë, 4 nxënës të gjimnazit "Ismail Qemali" në kryeqytet, u paraqitën në spitalin infektiv me shenja helmimi nga ushqimi. Sipas mjekëve, ata kishin pasur të vjella, diare dhe pohuan se gjatë pushimit të madh kishin konsumuar produkte të një fast-foodi aty pranë. "Nuk mund ta quajmë tamam helmim, pasi ai t'i jep shenjat menjëherë, por është gastrointerit, pra një formë më e lehtë që shkaktohet përgjithësisht nga konsumi i ushqimeve të ndenjura. Gjendja e nxënësve u përmirësua dhe dolën nga spitali" thanë mjekët infeksionistë. Edhe Ministria e Arsimit u ka bërë apel nxënësve dhe prindërve që të tregojnë kujdes me shitësit ambulantë. Kjo pas rasteve të përsëritura të helmimeve, si pasojë e mosrespektimit të kushteve të higjienës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›