E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, pronarët që marrin paratë

 

Agjencia e Legalizimit ka përfunduar së hartuari listën e pronarëve, që do të kompensohen nga ligjërimi i ndërtimeve pa leje. Lista me emrat e 126 pronarëve, që do të dëmshpërblehen për trojet e tyre, pritet të miratohet së shpejti në qeveri. Aktualisht Agjencia e Legalizimeve është në pritje të hartës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP), e cila do të llogarisë vlerën e dëmshpërblimit (lekë/m2) për çdo pronar, trojet e të cilëve janë zënë nga ndërtimet informale. Në këtë listë janë emrat e pronarëve të Qarkut të Tiranës, Elbasanit dhe të Shkodrës. Në momentin kur Këshilli i Ministrave do të miratojë listën e kompensimit të pronarëve, këta të fundit do të mund të tërheqin paratë e dëmshpërblimit, vlera e të cilave llogaritet nga AKKP-ja. Përveç kësaj, ALUIZNI ka përfunduar së përgatituri edhe 27 dosjet e ndërtimeve në Qarkun e Tiranës, Vlorës, Shkodrës, Elbasanit, Lezhës, Kukësit, Gjirokastrës, Fierit dhe Durrësit. Pra, janë gati dosjet me dokumentacionin tekniko-ligjor për 4262 objekte informale, që presin miratimin nga Këshilli i Ministrave për kalimin e pronësisë. Kjo listë pritet të miratohet së shpejti në Këshillin e Ministrave. Gazeta boton të plotë tabelat me listat e pronarëve, që do të kompensohen si dhe listën e objekteve, që do të miratojë qeveria për kalim pronësie. Përveç kësaj, gazeta boton listën e objekteve informale që janë miratuar në qeveri, por që vendimi për këtë kategori objektesh nuk është zbardhur ende.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›