E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alessia Marcuzzi: Nuk e kam gjetur ende dashurinë

Biondja 37-vjeçare betohet se nuk e ka gjetur ende dashurinë dhe nëse mes rreshtave pranon fundin e historisë së saj të dashurisë me Carlo Cudicini, portierin e Çelsit, me të cilin në një farë pike dukej i mundur rikthimi, vazhdon të qarkullojë një tjetër emër, me të cilin një vit më parë dukej se do të lindte një histori e re. Në fakt, ata me të cilët është fotografuar kohët e fundit, janë vetëm miq të vjetër. Ndërkaq, në sallonin e bardhë të shtëpisë së saj romane, Tommy, fëmija që pati nga lidhja me Simone Inzaghin, kërkon që vëmendja të përqendrohet tek ai, jo vetëm për mëngjesin, por edhe për detyrat verore. Pas disa ditësh të dy do të nisen me pushime në fillim në Sardenjë, pastaj në

Cap d‘Antibes dhe në fund në Greqi. Ja se ç‘tregon ajo në një intervistë rreth punës dhe jetës private...

Historia juaj e re e dashurisë është në krye të klasifikimit të skupeve të verës? Jeni e kënaqur?

Po si ka mundësi? Nuk është ajo mes Elisabeta Canalis dhe George Clooney historia e dashurisë më interesante e verës? Nuk e dija se isha kaq e pëlqyer nga shtypi rozë, edhe pse kohët e fundit më kanë bërë të lidhur me njerëz që njoh prej një jete dhe që sigurisht jam e lumtur nën shoqërinë e tyre.

E ke fjalën për mikun Andrea Providenzën?

Po. Ishim në varkën e një tjetri mikut tim me një grup të madh njerëzish, ku po argëtoheshin dhe shijonim diellin. Ishte edhe gruaja e Andreas. Na shkrepën nja dy foto vetëm ne të dyve dhe kaq mjaftoi për të na cilësuar si të dashur. Kam vendosur të dal çdo ditë me nga një mik të ndryshëm, sepse dua të shoh se sa të dashur do të më atribuojnë.

Si ka mundësi, asgjë e re?

Për momentin jo, do të pushoj dhe do t‘i kushtohem tërësisht Tommy-t. Kur djali ishte tek i ati bëra ca pushime me mikeshat e mia. U kënaqa shumë. Ndaj në këtë moment të jetës sime nuk më pëlqen shumë fjala "e fejuar". Dua të çlodhem dhe të shijoj lirinë, meqenëse që prej moshës 20-vjeçare gjithmonë kam qenë e lidhur me ndonjë mashkull.

Një verë çmendurish?

Jo, i referohem faktit se e kalova nën shoqërinë e mikeshave të mia. Në krahasim me pranverën e shkuar e ndiej veten të rritur, falë edhe vështirësive që kam jetuar. Mendoj se u ndodh të gjithëve kur mëson nga e kaluara. Jam e qetë, nuk ndihem më konfuze dhe e di se çfarë dua.

D.m.th.?

Të jetoj e qetë.

Megjithatë thashethemet për ju nuk kanë të sosur?

Kanë nisur kur isha në delir të plotë. Tani më vjen për të qeshur kur i dëgjoj. Mendoni pak që mikeshat e mia kur janë me mua në plazh largohen se kanë frikë se mos kapen nga fotografët. E njëjta gjë vlen edhe për miqtë e mi meshkuj. Kam frikë të bëj diçka me ta, se pothuajse të gjitha gjërat keqinterpretohen.

Atëherë diçka duhet të ketë? S‘ke pse fshihesh kaq shumë...

Është e kotë të insistosh. Më është dashur të kaloj një moment të vështirë, ku çdo gjë për jetën time private shtrembërohej. Tani dua t‘i jetoj pa stres gjërat që më përkasin vetëm mua. Kur je e famshme dhe përfundon një histori dashurie e gjen veten në vështirësi: si të shpjegohesh, çfarë të tregosh. Gjithçka që mund të thuash mund ta lëndojë tjetrin. Është e vërtetë që një personazh publik duhet t‘u japë deri diku shpjegime njerëzve, por duhet të respektosh edhe ndjenjat e njerëzve që do. Jo të gjithë kanë profesionin tim, por edhe nëse e kanë nuk është e thënë të jenë të lumtur kur shohin jetën private në gazeta. Pastaj unë e di që gazetarët duhet të bëjnë punën e tyre.

Keni frikë nga gazetarët?

Më parë tregohesha më e kujdesshme. Shkoja me pushime në vendet më të largëta të botës: në Rusi në Peru, kurse sivjet nuk u largova nga Italia. E lashë veten të lirë dhe mendova: dua të jetoj jetën time. Fillova ta bindja veten se njerëzit nuk janë aq injorantë sa të mendojnë se burri i parë që fotografohet përkrah meje është i dashuri im.

Pesë edicione "Grande Fratello", akoma nuk je mërzitur?

Mendoja se do të lodhesha, por vitin e shkuar u argëtova aq shumë, saqë nuk e mendova më. Kështu, kur më kërkuan ta vazhdoja, duke vendosur kështu një rekord personal jetëgjatësie në drejtimin e "Grande Fratello"-s, nuk pata asnjë mëdyshje. Pastaj ky është një edicion i veçantë, i dhjeti që do të festohet me shumë iniciativa të reja. Është i pari nga "reality show"-t që ka hyrë në historinë e televizionit për diskutimet e shumta dhe që ka sjellë edhe një valë ndryshimesh.

Po polemikat për banorët e shtëpisë?

Në një farë mënyre, në edicionin e fundit u munduam që t‘i shuanim për të mos e prishur këtë "reality show" kaq të ndjekur për shkak të kritikave. Në fund të gjithë pranuan se ky program reflekton gjithçka që shihet në vendin tonë, histori, tipologji etj. Është një thyerje e disa rregullave të shoqërisë, që shpesh çon edhe në familje argumente delikate, të cilat zakonisht nuk trajtohen në televizor.

Ku e sheh veten pas disa vitesh?

Kam një kontratë që më mban akoma të lidhur për shumë kohë me "Mediaset"-in. Jam shumë e kënaqur, sepse gjithmonë kam punuar mirë si me "Canale 5", si me "Italia Uno", duke pasur marrëdhënie të korrekte me të gjithë aty. Njerëzit mund të imagjinojnë se të arrish majat është e pamundur, por unë mund të them se te "Mediaset" ka dialog dhe mund të fitet lehtësisht edhe me drejtuesit më të lartë. Gjithmonë më kanë besuar programe që i kisha mjaft për zemër, si "Fuego", "Festival Bar" apo "Le Iene", pastaj kur deshën që unë ta provoja veten me diçka më të vështirë, si për shembull "Grande Fratello", e bënë me shumë ëmbëlsi dhe duke më pyetur: "A mendon se mund ta bësh dot?" Ndaj çdo gjë e re në karrierën time duhet të diskutohet në të njëjtën mënyrë.

Po më parë, pse largoheshe?

Nuk doja të ndihesha në siklet. Nuk e bëja për t‘u mbrojtur nga publiku im, me të cilin kam një raport të mrekullueshëm, por e bëja edhe për Tommy-n, doja ta mbaja larg këtyre gjërave. Ndërsa këtë vit e kuptova se është më mirë nëse jeton pa ankthin e privatësisë. Do mundohem të jap vetëm shembuj pozitivë. Nuk e quaj skandal të çlodhesh apo argëtohesh. Mjafton të mos plagos njerëzit që kam përreth e që dua më shumë.

Çfarë ju mërzit më shumë?

Fakti kur njerëzit thonë se të bësh karrierë në televizion duhet të shkosh në shtrat me shefin. Mua nuk më ka ndodhur në 20 vjet karrierë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›