Gjana në Vlorë prezanton strategjinë për mbjelljen e ullirit
Vlorë- Pa kaluar shumë kohë nga deklarata e Berishës për bërjen e Shqipërisë ullishten e Mesdheut, ministri i Bujqësisë Jemin Gjana ka prezantuar sot në Vlorë strategjinë kombëtare për mbjelljen e fidanëve të rinj.
Pjesë e konferencës kanë qenë specialistë të ministrisë, përfaqësues të ndërmarrjeve bujqësore, kryesisht të rretheve të jugut, dhe aktorë të tjerë, në këtë fushë.
Sipas Gjanës, objektivi kryesor i strategjisë është shtimi nga 5 milionë rrënjë ullinj, në 20 milionë rrënjë. “Jemi të vetëdijshëm se ka problematika, por kjo është një sipërmarrje jo vetëm e qeverisë, pavarësisht angazhimit të saj në këtë pikë. Eshtë deklaruar se bujqësia shqiptare ka nevojë të strukturohet”- tha ai.
Sipas tij, ulliri aktualisht është i shtrirë në gati 25 rrethe të vendit, ndërkohë që Shqipëria bën pjesë në atë zonë mesdhetare, ku ulliri prodhohet mbi 90%.
Ministri ka prezantuar shifra të këtij viti për qarqet, Vlorë, Durrës, Berat dhe Lezhë, si dhe të gjithë sipërfaqeve të mbjella me bimën e ullirit.
Përmirësimi i punës në këtë drejtim është përcaktuar ndër të tjera në sektorin e prodhimit të fidanëve të ullirit, si dhe rehabilitimin e ullishteve ekzistuese. Përsa i përket rrugëve për të ndërhyrë, janë evidentuar dy prioritete.
“Le të ketë komente, por kjo është një sipërmarrje shumë serioze, si dhe një angazhim qeveritar, pavarësisht skepticizmit me të cilat shihen cështje të zhvillimit sot në vend”- tha Gjana. Specialistët në këtë fushë kanë njohur gjithashtu me punën që bëhet me ullirin, duke dhënë dhe sugjerimet e tyre për objektivin që diskutohet në shtimin e rrënjëve të ullinjve në vend.