E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen hetimet, Lulzim Basha në gjyq

Prokuroria ka dorëzuar dje në mesditë në Gjykatën e Lartë pesë fashikujt e akuzave ndaj ministrit Basha, për akuzat shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tender

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme dorëzon në gjykatë dosjen kundër ministrit Lulzim Basha, duke i dhënë fund kalvarit 20- mujor të debateve dhe akuzave nga të gjitha palët. Ministri është cilësuar fajtor nga prokuroria për abuzimet në rrugën Durrës- Kukës. Ai akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike në bashkëpunim me Andi Tomën. Hetimi i prokurorit Arben Kraja është firmosur nga kryeprokurorja Ina Rama dhe dje ka qenë në duart e gjykatësve.

***

Burimet zyrtare të prokurorisë pohuan se Kraja ka dorëzuar në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë pesë fashikujt e gjykimit ndaj Ministrit të Jashtëm Basha dhe drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve Toma. Sipas akuzës, dy të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kohën kur Lulëzim Basha drejtonte dikasterin e Ministrisë së Transporteve dhe Andi Toma ishte në detyrën e Drejtorit Juridik pranë kësaj ministrie, kanë abuzuar me detyruat, duke favorizuar me të gjitha mundësitë e mundshme kompaninë që u shpall fituese për ndërtimin e rrugës Rrëshen – Kalimash, “Bechtel Inc.-Enka”.“Pas analizës së dosjes, të kryer mesditën e djeshme, vetëm pak minuta pas mos paraqitjes së të pandehurit Lulëzim Basha dhe avokati të tij mbrojtës Zef Nikaj për tu njohur me dosjen dhe aktet hetimore, është arritur në përfundimin se dosja duhet dorëzuar në gjykatë”,- thanë burimet e prokurorisë. Menjëherë pas këtij vendimi janë caktuar dy avokatë kryesisht, të cilët janë njohur me aktet hetimore dhe kanë firmosur për mbylljen e hetimeve, duke i hapur rrugë prokurorisë për ta mbyllur dosjen hetimore dhe dorëzuar në Gjykatën e Lartë për gjykim. Gjithashtu, me anë të ftuesit të Prokurorisë së Përgjithshme, i është dërguar në adresë të banesës dhe punës së Ministrit të Jashtëm një kopje e kërkesës për gjykim që tashmë është dërguar pranë gjykatës për shqyrtim.

***

Mësohet se nga hetimi 20- mujor është arritur të faktohet nga organi i akuzës, se dy të pandehurit kanë kryer një numër të pafundmë shkeljesh, duke filluar që nga zbatimi i vendimit të Këshillit të Ministrave, tek zgjedhje e konsulentit “Ecorys Group” e deri tek lidhja e kontratës me fituesen “Bechtel & Enka”, një kontratë aspak favorizuese për buxhetin e shtetit. “Shekulli” ditë më parë ka publikuar një pjesë të akt-akuzës së Prokurorisë, ku renditen shkeljet kryesore në të ashtuquajturin skandali i rrugës Durrës-Kukës. “Bazuar në hetimet e kryera nga Prokuroria e Përgjithshme është arritur në konkluzionin se gjatë procedurave të ndjekura për përzgjedhjen e firmës që do ndërtonte segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash që përbën pjesën qendrore të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Gjatë procedurave të ndjekura për lidhjen e kontratës me subjektin fitues dhe gjatë zbatimit të kësaj kontrate, punonjës të administratës shtetërore të drejtuar nga ish-ministri i Transporteve, tashmë ministri i Jashtëm Lulëzim Basha dhe ish-drejtori juridik i kësaj ministrie, Andi Toma, kanë konsumuar veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” në bashkëpunim”-thuhet në kërkesën për gjykim që ndodhet në kryesekretarinë e Gjykatës së Lartë. Kjo dosje të martën në mëngjes pritet të siglohet nga kryetarja e kësaj Gjykate, Shpresa Beçaj, dhe më pas të hidhet në short për caktimin e trupës gjykues të gjyqtarëve që do të gjykojnë këtë çështje penale.

------------------------------------------------------------------------------------------------Në organin e akuzës u paraqit vetëm avokati mbrojtës, i cili nuk pranoi të firmoste mbylljen e hetimeve

Basha injoron për herë të dytë prokurorinë

TIRANË- Lulzim Basha ka injoruar dje për të dytën herë institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, duke mos iu përgjigjur ftesës për tu njohur me materialet hetimore. Gjatë paradites së djeshme, konkretisht në ora 11:00, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Lulëzim Basha, avokat Zef Nikaj, është paraqitur në protokollin e këtij institucioni duke mjaftuar me dorëzimin e një memorieje në adresë të zyrës së kryeprokurores Ina Rama dhe prokurorit të çështjes Arben Kraja, njëkohësisht duke refuzuar të firmosë mbylljen e fazës hetimore të dosjes penale me nr.1 të datës 9 mars 2007. Sipas avokatit mbrojtës, veprimet e Prokurorisë së Përgjithshme ndaj klientit të tij, ish-ministrit të Transporteve, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha janë të paligjshme. “Ju bëj me dije se që nga data 6 nëntor 2008 e në vazhdim veprimet tuaja hetimore janë ndërprerë për procesin penal nr. 1 të vitit 2007, me vendimin gjyqësore nr.1494 akti të datës 18 nëntor 2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Ç’ka do të thotë se si organ akuze nuk gëzon asnjë status ligjor për të kryer veprime të mëtejshme jashtë datës 6 nëntor 2008, ku deri në këtë datë klienti ime ka statusin e personit nën hetim. Dhe meqenëse ju po vazhdoni të kryeni veprime flagrante të paligjshme që bien ndesh me Kushtetutën e Kodit të Procedurës Penale, si avokat mbrojtës i shtetasit Lulzim Basha nuk kam ndërmend të bëhem pjesë e këtyre veprimeve të paligjshme të institucionit tuaj që ju po vazhdoni të kryeni qoftë edhe me datën 5 dhjetor 2008”,- thuhet në memorien e dorëzuar dje në Prokurorinë e Përgjithshme. Të njëjtin qëndrim mbajti dy ditë më parë edhe mbrojtësi ligjor i të pandehurit Andi Toma, Genc Gjokutaj, i cili mbron interesat e ish-drejtorit juridik pranë kësaj ministrie.

SHKELJET

Përzgjedhja e konsulentit “Ecorys Group” është bërë në shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi. Përzgjedhja e tij ka qenë e paracaktuar nga zoti Lulëzim Basha. Ky subjekt është favorizuar duke u shpallur fitues pa konkurrim dhe nga ana tjetër është favorizuar duke e paguar më shumë se kishte kërkuar vetë ai.

Procedura e ndjekur për përzgjedhjen e firmës fituese për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe lidhja e kontratës me këtë firmë për zbatimin e punimeve është kryer me shkelje të shumta ligjore, duke favorizuar subjektin sipërmarrës. Shkeljet e konstatuara kanë sjellë dhe dëme te konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit.

Nga hetimi është provuar se shoqëria  konsulentë ka pasur konflikt interesi me shoqërinë Bechtel-Enka, të cilën e ka rekomanduar si fituese. Rezulton se shoqëria “Ecorys Group” në bashkëpunim me shoqërinë “Parsons Brinckerhoff” janë aktualisht konsulentë dhe i ofrojnë asistencë teknike Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit.

Rezulton se shoqëria “Parsons Brinckerhoff” është një shoqëri që ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me shoqërinë Bechtel Inc. për punime civile të kryera në qytetin Boston të SHBA.

Bazuar në hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se çmimet për njësi të vendosura në kontratë janë propozuar nga shoqëria sipërmarrëse dhe janë pranuar nga investitori si “të arsyeshme dhe të ndershme” pa u ndryshuar fare. Ky fakt konfirmohet nga raporti përfundimtar i shoqërisë konsulente Ecorys Group.

Për çfarë akuzohet ministri Basha

1- Përzgjedhja pa konkurrim e Ecorys Group

2-Kontrata për ta paguar 95 mijë USD më shumë

3-Katër vendimet e qeverisë, të iniciuara nga Basha

4- Komisioni ndërkombëtar, pa shqiptar

5- Modeli ndërkombëtar FIDIC, i pazbatuar

6- Mungesa e ofertave nga firmat e huaja në tender

7- Mungesa e një projekti përfundimtar

8-Mungesa e një fondi limit

9-Çmimet e aplikuara në kontratë për njësi

10-Shtimi i 8 kilometrave rrugë në kontratë

11- Pagesa e infrastrukturës, 10 % të shumës së kontratës

12-Çmimet e betonit, sa 2-fishi i tregut shqiptar

13- TVSH është marrë përsipër nga shteti shqiptar

14- Konflikti i interesit të “Ecorys Group”

15- Refuzimi për të dëshmuar në prokurori

Kryeprokurorja ka pohuar se ka raste kur personat mbahen në qeli jashtë afateve. Mungon koordinimi me prokurorinë

Ina Rama: Gjykatat mbajnë njerëzit kot në burg

TIRANË – Kryeprokurorja Ina Rama ka lëshuar dje akuza të forta kundër sistemit gjyqësor duke e cilësuar atë si shkaktarin kryesore të shumë problematikave që lidhen me të dënuarit. Gjatë një seminari të zhvilluar dje në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, kryeprokurorja i ka përqendruar akuzat e saj, kundër Gjykatës së shkallës së parë dhe Gjykatës së Lartë. “Kur Gjykata e Lartë, vendos të rikthejë vendimet e gjykatave më të ulëta për rigjykim, ne vihemi në dijeni për këtë kur çështja ka shkuar në gjykatën e Apelit”,- është shprehur Ina Rama.

Sipas saj, ky është një fakt që që tregon mos koordinim dhe bashkëpunim koherent midis prokurorisë dhe gjykatës së vendit. Kryeprokurorja, rreshtoi një sërë shqetësimesh dhe akuzash të tjera që lidhen me pushtetin gjyqësor. Ina Rama ka shprehur edhe njëherë shqetësimin e saj, për shumë të dënuar që vuajnë dënimin në ambientet e burgimit dhe paraburgimit tej afateve ligjore. Për këtë fakt mjaft shqetësues, kryeprokurorja ka akuzuar Gjykatën e Shkallës së Parë si shkaktaren kryesore në këtë dëm që i bëhet një pjese të qytetarëve. “Gjykata nuk njofton për pushimin e çështjeve, gjë e cila ka si rrjedhojë që shumë të dënuar të qëndrojnë në burg tej afateve”, ka thënë Rama. Në vijim të akuzave të saj ndaj Gjykatës, Rama, është përqendruar edhe në ekzekutimin e vendimeve penale. Këto lloj ekzekutimesh janë të përfshira nga vonesa për shkak të zvarritjes së dërgimit të dosjes gjyqësore nga Gjykata e Tiranës në Prokurori është shprehur Rama, duke hedhur akuza më të rënda për Gjykatën e Tiranës. “Gjykata e Apelit, Gjykata e Lartë, duhet të përcjellin brenda afateve ekzekutimin në gjykatën e shkallës së parë”,- është shprehur Rama.

Kryeprokurorja është përqendruar edhe në trajtimin e problematikave dhe të ankesave që vijnë shpesh nga institucionet por edhe nga të dënuarit, për mos njohjen nga ana e prokurorëve të ditëve të punës të të burgosurve. Sipas Ramës, duhet që më parë të ekzistojnë kritere të qarta në lidhje me këtë fakt pastaj të kalojmë në stadin tjetër për të folur më konkretisht. Problemi këtu qëndron se kush do të jetë dëmshpërblimi nga këta të dënuar për punën që kryejnë, do të jetë në formën e uljes së dënimit apo do të jetë një dëmshpërblim financiar. “Duhet të vendoset njëherë kriteri, pastaj të kalojmë në llogaritjen e njohjes së ditëve të punës të të burgosurve”,- është shprehur gjatë seminarit të djeshëm kryeprokurorja. Ina Rama tregoi gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar në lidhje me këto problematika të trajtuara në këtë seminar edhe në qoftë se kjo kërkon që të ndërhyhet në ligj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›