E Diel, 1 Nëntor 2026

U rebelua se nuk kishte drita, plagos elektricistin e zonës

Berat- Ka shkuar të rregullojë një defekt elektrik, por e kanë qëlluar në befasi me sende të forta. Ngjarja ndodhi në komunën Cukalat të Beratit, ku një 36-vjeçar ka plagosur me sende të forta elektricistin Kujtim Bregu, duke e akuzuar se nuk po rregullonte defektin që kishte ndodhur e për pasojë zona kishte mbetur pa drita.

Defekti ishte shkaktuar si pasojë e erës së fortë, ndërkohë që elektricisti ishte njoftuar të shkonte në vendin ku ishte konstatuar problemi për të bërë ndërhyrjet e nevojshme.

Sapo ka mbërritur elektricisti, Mehmet Sianani 36-vjeç i është vërsulur fillimisht me fjalë e pasi kanë debatuar ashpër, e ka goditur me sende të forta. Elektricisti 48-vjeçar ka rënë përtokë, ndërkohë që autori është larguar me shpejtësi.

Kanë qenë banorë të zonës që kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur me urgjencë. I dëmtuari është transportuar në spital, ndërkohë që policia ka mundur të vërë në pranga autorin.

Burime nga urgjenca e spitalit bëjnë me dije se 48-vjeçari Bregu ka mbërritur me plagë të rënda në kokë dhe në trup dhe i është nënshtruar ndërhyrjes mjekësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›