Berisha: Topi e ktheu Kodin për një pakt Rama-Meta
Kryeministri Berisha argumentoi dje mosdekretimin e Kodit nga ana e Presidentit
TIRANË- Mosdekretimi i Kodit të ri Zgjedhor nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, është përcjellë në mënyrë krejt kaotike nga mazhoranca e sotme. Pas qëndrimit të kryetares së Kuvendit, Jozefina Tooalli se Topi u bë njësh me pakicën, apo argumenteve jo bindëse të deputetit demokrat, Aldo Bumci, kryeministri Sali Berisha në intervistën e dhënë mbrëmë për emisionin “Log” në TVSH ka dhënë një qëndrim krejt tjetër, duke marrë përsipër madje të argumentoje edhe arsyet e vërteta, që, sipas tij, e çuan Presidentin e Republikës që të mos hedhe firmën për Kodin e ri Zgjedhor. “Jo afate ligjore, por afate kushtetuese nuk janë respektuar. Ky president dhe paraardhësit e tij, nuk i kanë respektuar, siç ka qenë kryetari i Gjykatës së Lartë apo gjykatësit. Megjithatë mund ta kthejë. Sikurse duhet të thotë haptas: “E ktheva që mund të ketë një ujdi midis Edi Ramës dhe Ilir Metës. Në mënyrë absolute nuk jam kundër. Nuk them se ky është një pseudomotiv. Pati një grevë urie, 12 deputetë. Presidenti pati një prononcim dhe normal që duhej të prononcohej”,- tha Berisha. Më tej ai shtoi se: “E kam thënë dhe e them prapë. Është i zotit Gjinushi apo është i zotit Meta komisioneri, nuk ndërhyj dot. Unë jam i detyruar të respektoj kryetarin e opozitës, partinë kryesore opozitare dhe këto çështje opozita duhet ti zgjidhë brenda saj, pa ndërhyrjen time, sepse pastaj do ishte një manipulim”. Por përpos argumentit që solli dje Berisha, Presidenti i Republikës, Bamir Topi e bëri të qarte argumentin e tij lidhur me mos-dekretimin e Kodit të ri Zgjedhor. Publikisht, por edhe përmes një letre dërguar Kuvendit, Presidenti i Republikës sqaroi se ligji krijonte mospërputhje kohore me Kushtetutën për kryerjen e aktit të përcaktimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në anën tjetër, Kryeministri tha gjithashtu se, “Kodi Zgjedhor u mbajt në presidencë për tu tejkaluar 9 muajshi. Se kur e mori, po ta dekretonte ishin fiks 9 muaj”. Por kryeministri Berisha nuk vuri në dukje një tjetër detaj jo pak të rëndësishëm se pas dekretit të Presidentit, duhen edhe të paktën dy javë kohë që ligji të hyjë në fuqi.