Alfred Moisiu: “Partitë duhej ti kishin hequr nga listat personat me probleme me Drejtësinë”
Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, komentoi dje shpalljen e listave të kandidatëve për deputetë nga partitë politike. Moisiu kritikoi partitë politike lidhur me vonesat në publikimin e listave të kandidatëve për deputetë. Ai e ka cilësuar këtë vonesë si një pabesi që partitë i kanë bërë elektoratit të tyre, pasi koha për të njohur se çfarë përfaqësojnë këta individë është e shkurtër. Gjatë një prononcimi për mediat Moisiu u shpreh se partitë politike nuk duhej të kishin përfshirë në lista persona në konflikt me drejtësinë. “Këtë vonesë unë do ta quaja pabesi e partive që i kanë bërë elektoratit, pasi njerëzit duan të njohin jo vetëm partitë, por edhe kandidatët. Unë e kam thënë edhe me parë dhe kam këshilluar që partitë politike të rishikojnë pastërtinë e figurave të kandidatëve. Partitë duhet të pastrojnë listat nga individë që kanë probleme me drejtësinë, korrupsionin apo moralin”, - është shprehur ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu. Sipas tij, rishikimi i listave mund të sjellë një përmirësim prej 25 emrash, që nuk përmbushnin kriteret për të qenë në Parlament. Ai u bëri thirrje partive që të përmbushin standarde sa më të larta në përfaqësimin e Kuvendit, në të kundërt, partitë do të paguajnë kostot.
28 Maj 2009