E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, si do të organizohet fushata e 32 kandidatëve në Tiranë

Selia blu, mbledhje të shpeshta për ndarjen e zonave në kryeqytet. Kandidatët dhe minibashkitë e Tiranës ku do të përqendrohet fushata

Eljona Ballhysa
Partia Demokratike është përfshirë dy ditët e fundit në mbledhje të njëpasnjëshme për organizimin e fushatës elektorale, veçanërisht në kryeqytet. Megjithëse sistemi elektoral proporcional presupozon futjen në zgjedhje me listë kandidatësh për secilin qark, do të ketë një organizim të brendshëm të fushatës elektorale dhe ndarje të zonave elektorale edhe brenda një qarku. Aq më tepër që qarku i Tiranës ka 32 kandidatë për deputetë dhe nuk mund të mendohet që të gjithë këta kandidatë të lëvizin bashkërisht dhe të zhvillojnë fushatë në të gjithë qarkun e Tiranës. Për këtë qëllim, drejtuesit e PD-së, sekretari Organizativ, sekretari i Përgjithshëm, dy nënkryetarët dhe kandidatët për deputetë kanë zhvilluar një sërë takimesh për ndarjen e zonave elektorale në kryeqytet.
Zonat
Sipas burimeve nga PD-ja, është përcaktuar që Majlinda Bregu të merret me organizimin e fushatës në Njësinë Bashkiake Nr. 9, që përfshin rrugën “Don Bosko”. Ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, i cili u votua në 2005-n si deputet nga elektorati i Korçës, gjatë zgjedhjeve të 2009-s është vendosur të jetë kandidat për deputet në qarkun e Tiranës. Për Rusmalin është vendosur që ta përqendrojë fushatën elektorale në Minibashkinë Nr. 4 në Tiranë, që përfshin Rrugën Bardhyl dhe zonën e tregut të Medresesë. Drejtori i kabinetit të kryeministrit Berisha, Arben Imami, është caktuar nga lidershipi i PD-së ta përqendrojë fushatën elektorale në Minibashkinë Nr. 7 në Tiranë, që përfshin zonën e “21 Dhjetorit”. Ndërsa ish-kandidatja për postin e kryetares së PD-së së Tiranës, Lajla Pernaska, është caktuar në Minibashkinë Nr. 2, që përfshin Qytetin Studenti apo rrugën te Tregu Elektrik në Tiranë. Mësohet se kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Gerti Bogdani, do ta zhvillojë fushatën në Minibashkinë Nr. 10, ku ai është zgjedhur kryetar gjatë zgjedhjeve lokale të 2007-s. Minibashkia 10 përfshin Rrugën e Durrësit, Rrugën e Kavajës dhe rrugën “Myslym Shyri”. Burimet kanë bërë të ditur se ende nuk janë përcaktuar zonat për kandidatët e tjerë të Tiranës. Kështu, ditët në vazhdim pritet të vendoset se cili nga kandidatët do të merret me zonat periferike të kryeqytetit si Kombinati, Lapraka, Bathorja, apo Shijaku, Vora e Gërdeci. Nuk është qartësuar ende zona ku do ta përqendrojë fushatën edhe kreu i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi. Ndërsa dihet që kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili është kandidat në qarkun e Tiranës, do të jetë lideri i fushatës elektorale të PD-së në të gjithë Shqipërinë, në veçanti fushata e tij do të përqendrohet në qytetin e Kavajës, nga ku është zgjedhur deputet në disa legjislatura.
Ndarja
Burimet kanë bërë të ditur se gjatë këtyre mbledhjeve që janë zhvilluar deri në orët e vona të mbrëmjes, nuk kanë munguar diskutimet, pse jo dhe debatet. Kjo për faktin se ka pasur nga ata deputetë të Tiranës, të cilët nuk kanë pranuar të ndryshojnë zonë elektorale për shkak të kontributit të dhënë gjatë katër viteve. Sipas burimeve, kriteri i përdorur për ndarjen e zonave ka qenë, përveç kontributit, edhe lidhjeve që ka kandidati me këtë zonë, mund të jetë banor i saj dhe ka shumë njohje dhe mbështetje, ose është zonë që banohet nga tiranas të vjetër dhe kandidati do të jetë tiranas. Pra është parë dhe prejardhja e kandidatit. Burimet gjithashtu kanë bërë të ditur se ka shumë mundësi që në një njësi bashkiake të përcaktohen dy kandidatë për deputetë për t’u marrë me fushatën. Ndërkohë që ndahen zonat elektorale dhe kandidatët që do të organizojnë fushatën në lagje të ndryshme të Tiranës prej kohësh janë hapur zyrat elektorale me siglën e PD-së.

Mitingu i PS-së e detyron PD-në të ndryshojë datën

Partia Demokratike kishte parashikuar që mitingun e hapjes së fushatës elektorale ta zhvillonte sot pasdite, pra më datën 28 maj. Por pikërisht gjatë pasdites së sotme është parashikuar që edhe Partia Socialiste të hapë zyrtarisht fushatën elektorale me një miting festiv, me elemente të spektaklit në sheshin “Demokraci” në Qytetin Studenti. Për të mos pasur përplasje me Partinë Socialiste dhe për të pasur gjithë vëmendjen të kushtuar te mitingu i saj, selia blu vendosi ta shtyjë datën e hapjes së fushatës elektorale. Burime nga PD-ja kanë bërë të ditur se lidershipi i kësaj partie vendosi gjatë mbledhjes së kryesisë së vogël, që u mbajt ditën e martë në mbrëmje, që mitingu i hapjes së fushatës elektorale të zhvillohet ditën e hënë, më datë 1 qershor, ora 19:00, në sheshin “Skënderbej”. Megjithëse nuk jepen detaje të shumta për mënyrën e organizimit të këtij mitingu, mësohet se demokratët kanë marrë të gjitha masat që ai të jetë madhështor dhe që sheshi “Skënderbej” të bëhet më blu se kurrë. Madje, në selinë e PD-së këto ditë kanë mbërritur dhe materialet e fushatës, si flamujt, bluzat dhe posterat. Me organizimin e mitingut të hapjes së fushatës po merret në veçanti zëdhësënja e fushatës, Majlinda Bregu, kryetari i FRPD-së, Gerti Bogdani, si dhe përfaqësues të kompanisë amerikane që do të menaxhojë fushatën e PD-së.

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›