E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërrime në postet komanduese policore të Kosovës

Komandanti i stacionit policor në veri të Mitrovicës, Milija Millosheviq, i shumëpërfolur për shkelje të rënda ligjore, ndërhyrje arbitrare në raste të hetuesisë dhe bashkëpunim të ngushtë me Beogradin, nuk i kanë bërë punë takimet e shumta më ndërkombëtarë e vendorë për ta ruajtur pozitën e komandantit të stacionit. Me vendim të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Behar Selimi, ai është shkarkuar të hënën dhe në vend të tij është emëruar Branislav Kragoviq, i cili aktualisht është komandantë në pikën kufitare në Jarinjë.
Megjithëkëtë Milia Milosheviq, ndaj të cilit po zhvillohen një seri hetimesh, do të jetë udhëheqës i një njësie miltietnike, që përbëhet nga katër patrulla policore, puna e të cilave është bashkëpunimi me komunitetin.
Gjeneral Selimi po ashtu ka ndërruar edhe drejtorin rajonal të policisë në Mitrovicë. Në vend të Jahë Avdiut, i cili është transferuar në pozitën e drejtuesit të njësisë së hetimeve të brendshme, ndërsa në vend të tij ka emëruar Sami Shabanaj, i cili aktualisht është drejtor i Drejtorisë për inspektim dhe auditim në Drejtorinë e Përgjithshme.
Përveç kësaj komandanti i Stacionit të Policisë në Skënderaj, Avni Zabeli, siç thuhet, për nevoja të shërbimit është caktuar komandant i Stacionit të Policisë në jug të Mitrovicës, kurse në vend të tij është caktuar Bastri Durmishi, nga Mitrovica. Ndërkaq komandanti i deritashëm i stacionit në jug, Bashkim Spahiu, është dërguar në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë në operativën rajonale. Ndryshimet e kanë prekur edhe Ferizajn. Si drejtor Rajonal atje është emëruar Izet Aliu.
“Të gjitha këto ndryshime janë bërë me qëllim që të avancohet shërbimi që synon rritjen e shkallës së llogaridhënies së eprorëve dhe të nxitet vendimmarrja e të gjitha këto të reflektojnë përmirësimin e situatës së sigurisë”, i ka thënë koha.net, drejtori Behar Selimi. 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›