E Diel, 1 Nëntor 2026

Ali Ahmeti: Sali Berisha, Kryeministër i përhershëm për shqiptarët e Maqedonisë

05-07-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon kreun e BDI

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të shqiptarëve të Maqedonisë, z.Ali Ahmeti. Pas këtij takimi, kryeministri Berisha dhe z.Ahmeti dhanë një prononcim për mediat ku theksuan marrëdhëniet mes dy vendeve, duke iu referuar edhe zbatimit të marrëveshjes së Ohrit si garant i stabilitetit dhe lirive themelore të shqiptarëve në Maqedoni. “Zoti Ali Ahmeti si kryetar i kësaj partie ka merita shumë të mëdha në të gjitha zhvillimet pozitive nga marrëveshja e Ohrit tek zbatimi i saj, faktorë që sollën marrëveshjen e Ohrit, kontributin që jep në një situatë jo të lehtë për stabilitetin dhe progresin e mëtejshëm të Maqedonisë. E falënderova shumë përzemërsisht për vizitën, ishte një kënaqësi shumë e madhe për mua”- u shpreh Berisha. Nga ana e tij, kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti deklaroi se Sali Berisha do të mbetet udhëheqës dhe kryeministër i përhershëm për shqiptarët e Maqedonisë. “Ishte një kënaqësi pritja që mu rezervua nga kryeministri i Shqipërisë, me ç’rast ardhja ime këtu është për ta falënderuar për kujdesin që ka treguar ndaj shqiptarëve të Maqedonisë për 8 vite me radhë, në krye të shtetit shqiptar. Kam ardhur ta falënderoj për bashkëpunimin, për punën e madhe dhe të mirë që ne kemi arritur të realizojmë, kam ardhur ta falënderoj për këshillat vëllazërore që unë kam patur gjatë zhvillimeve, gjatë proceseve, me të vërtetë edhe të vështira, edhe specifike, në Republikën e Maqedonisë. Kam ardhur ta falënderoj për të gjithë përkrahjen që na ka dhënë që edhe vendi ynë të zërë vendin e merituar në NATO, dhe në strukturat evropiane. Kam ardhur ti them publikisht se do të mbetet udhëheqës dhe kryeministër i përhershëm për shqiptarët e Maqedonisë nga ata shqiptarë që unë përfaqësoj”- tha ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›