Evitoni udhëtimet në Egjipt, situata e sigurisë është përkeqësuar
Ministria e Jashtme këshillon qytetarët shqiptarë
Ministria e Jashtme këshillon qytetarët shqiptarë që të shmangin përkohësisht udhëtimet në Egjipt pas përkeqësimit të situatës në këtë vend me rrëzimin e presidentit Morsi me anë të grushtit të shtetit. Në një deklaratë për shtyp, MPJ thekson se shqiptarët të cilët ndodhen në Egjipt të evitojnë manifestimet që po zhvillohen. “Pas grushtit të shtetit të djeshëm në Egjipt dhe rrëzimit të Presidentit Morsi, situata e sigurisë është përkeqësuar ndjeshëm. Protestat e përqendruara kryesisht në Kajro, janë përhapur dhe mund shtrihen edhe më tej në disa pika të vendit. Në këto kushte, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, këshillon qytetarët shqiptarë që të shmangin përkohësisht udhëtimet në Egjipt. Ndërsa shqiptarëve që ndodhen në këtë vend për arsye të ndryshme, u bëhet thirrje që të evitojnë qendrat e manifestimeve dhe konflikteve” thuhet në deklaratë. Po ashtu Ministria e Punëve të Jashtme, ju sugjeron atyre qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë ose ndodhen në Egjipt, që të qëndrojnë gjithnjë të informuar për gjendjen e sigurisë, të komunikojnë në çdo kohë me shërbimin konsullor të Ambasadës së Shqipërisë në Kajro si dhe me Drejtorinë Konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme.