E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ali Baba dhe hajdutët" nesër në Tiranë

Autori i Lajmit: red.
Premiera e përrallës së njohur në të gjithë botën, "Ali Baba dhe hajdutët" vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Fëmijëve, të shtunën, në Tiranë, me regji të italianit Paolo Komentale. Burime nga zyra e shtypit të Teatrit Kombëtar të Fëmijëve bëjnë të ditur se me një bashkëpunim me shoqatën "ASITTEJ", regjisori Paolo Komentale, i vlerësuar me disa çmime në Itali e vende të tjera, do të sjellë për publikun e vogël kryeqytetas, historinë e "Ali Babës dhe hajdutëve". Regjisori i ardhur në Tiranë para pak ditësh, ka filluar provat intensive me aktorët Shegushe Bebeti, Sokol Myzeqari dhe Jorida Meta, që do të jenë protagonistët e kësaj shfaqjeje, që bazohet në versionin e shkëlqyer të mjeshtrit gjenovez Emanuele Luzzati. Duket se premiera e "Kësulëkuqes", që u shfaq para një viti në Teatrin Kombëtar të Fëmijëve dhe bashkëpunimi me aktorët e tij, ka qenë aq i mirë, sa regjisori italian Paolo Komentale tani, pas një viti, vjen me një tjetër shfaqje për publikun e vogël shqiptar. "Ali Baba dhe hajdutët" do të vihet në skenë me një përshtatje regjisoriale, ku teksti i pakët, shoqërohet plot detaje dhe veprime befasuese, që do të argëtojnë spektatorin e vogël. Personazhi Ali Baba, një fëmijë që jeton në botën fantastike të personazheve të mirë e të këqij si në përralla, por dhe në jetën reale, që pëlqen natyrën dhe luan mes fletëve të pemës, një ditë, njeh papritur Mustafain dhe hajdutët e tij. Duke dëgjuar fjalët magjike, që bëjnë të hapet shpella e thesarit, Ali Baba i shfrytëzon ato më pas për t ua rrëmbyer pasuritë e vjedhura hajdutëve e për t ua shpërndarë njerëzve të varfër. Kukullat e shfaqjes janë realizuar nga mjeshtrja italiane, Lukrecia Tritone, kryesisht të stilit buratin, por dhe kukulla në tavolinë. Muzika dhe efektet e ndriçimit, pritet të jenë të tjerë ndihmësa për një shfaqje të veçantë. "Ali Baba dhe hajdutët" është projekt italo-shqiptar i shoqatës "Shqiptarët e Teatrit për Fëmijë dhe për të Rinj "ASSITEJ" me regjisor, Paolo Komentale. Shoqata shqiptare, e krijuar në vitin 2003, është pjesë e shoqatës botërore me të njëjtin emër, ku marrin pjesë aktorë, regjisorë, skenografë, libretistë, shkrimtarë për fëmijë, etj. "ASSITEJ"-i shqiptar ka organizuar në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Fëmijëve, aktivitete si Java Ballkanike e Teatrit te Kukullave, të zhvilluar në nëntor të vitit 2004, Festivali i Këngës të Diasporës për fëmijë, në maj 2005, Koncerti i Madh "1 Qershori" në vitet 2006 dhe 2007, etj.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›