E Diel, 1 Nëntor 2026

“S kam lekë për gjobën, më fusni në burg”

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Kushtet e vështira ekonomike jo vetëm shtyjnë drejt veprave penale shumë persona, por dhe shumë i detyrojnë ata të këmbejnë dënimin me gjobë, në atë me burg. Preferojnë të qëndrojnë disa ditë në qeli në këmbim të gjobës së vënë në gjykata. Të shpallur fajtorë për vepra penale të konsideruara të lehta, për të cilat parashikohet dënimi me gjobë. Por nuk kanë preferuar të prekin financat, duke konsideruar më ekonomike disa ditë në qeli. Vetëm për këtë vit Gjykata e Faktit në Tiranë u ka konvertuar dënimin 39 të pandehurve që kanë marrë një vendim në këtë institucion. Një ditë burg kushton 2 mijë lekë. Por nga të gjitha këto raste, vetëm katër janë femra. Burime nga Gjykata e Tiranës konfirmojnë se në këto raste të gjykuara përshihen persona për të cilët u është kthyer dënimi nga gjoba që kanë marrë në vlerë monetare, në ditë burg. Ndërkohë ka dhe raste kur janë lënë të lirë persona që kanë vënë një garanci pasurore në këmbim të vuajtjes së dënimit. Por edhe e kundërta, nga ditë burgu në para.
Konvertimi
Burime nga gjykata bëjnë të ditur se, në rastet kur personat merren si të pandehur, në varësi të veprës penale që kanë kryer, marrin si dënim një gjobë në vlera të ndryshme monetare. Kjo e fundit varion sipas natyrës dhe rëndësisë së veprës penale për të cilën do të mbajnë përgjegjësi dënimi, ku kjo gjobë mund të konvertohet në ditë burgu. Vetëm gjatë këtij viti, në Gjykatën e Faktit të Tiranës janë konvertuar nga dënim me gjobë në dënim me burg rreth 39 raste. Konvertimi varion në bazë të shumës të detyrimit që ka personi ndaj shtetit. Sipas legjislacionit që është në fuqi, në vendin tonë një ditë burg është e barabartë me 2 mijë lekë. Sipas burimeve nga gjykata, nëse një person nuk paguan detyrimet që ka ndaj institucioneve, është i detyruar që të qëndrojë në qeli duke konvertuar shumën e detyrimit në ditë burg.
Të pranuar
Kërkesa në gjykatë për të konvertuar dënimin nga gjobë në burg për 39 persona është bërë nga Prokuroria. Sipas burimeve nga organi gjykues mësohet se mospagesa në kohë e gjobës së dhënë ka detyruar akuzën që të kërkojë në gjykatë kthimin e saj në ditë burgu. Kështu nga 39 kërkesa janë pranuar për kthimin në ditë burgu për 12 persona, ndërsa të tjerëve pritet që t u jepet përgjigjja në ditët në vazhdim. Ndërkohë, për 12 persona, gjoba e kthyer në ditë burgu i ka bërë ata që të qëndrojnë në qeli për disa ditë. Paratë janë kthyer në ditë burgu ku 24 orë janë të barabarta me 2 mijë lekë. Këto llogariten edhe me gjobën duke dalë ditët e burgut.
Të pushuara
Për katër të dënuar gjykata e Tiranës nuk ka qenë e të njëjtit mendim me prokurorinë për kthimin e gjobës në ditë burg. Një nga këta të katërt është edhe Luiza Hoxhaj, ish-drejtoresha e Postës Shqiptare. Ajo ishte dënuar me gjobë për shpërdorim detyre.

Legjislacioni

Neni 467 (Kodi i Procedurës Penale)
Ekzekutimi i dënimeve me gjobë
1. Vendimet që përmbajnë dënimin me gjobë ekzekutohen nga zyra e përmbarimit.
2. Kur vërtetohet pamundësia e marrjes së gjobës ose e një pjese të saj, prokurori i bën kërkesë gjykatës që ka dhënë vendimin për të bërë konvertimin. Me kërkesën e të dënuarit, gjykata mund ta shtyjë konvertimin deri në gjashtë muaj. Kjo periudhë nuk llogaritet në afatet e parashkrimit.
3. Kundër vendimit të konvertimit mund të bëhet ankim, i cili pezullon ekzekutimin e tij.

Neni 392 (Kodi i Procedurës Penale)
Detyrimi për pagimin e gjobës
1. Kur i dënuari nuk ka të ardhura ose pasuri të sekuestrueshme, gjykata ngarkon atë që përgjigjet civilisht për detyrimet e të pandehurit që të paguajë një shumë të barabartë me gjobën.

Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›