"Ali Kelmendi" rikonstruktohet pas 20 vitesh
SHKODER - Financimi prej rreth 82 milionë lek të akorduara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të rikonstruktojë një nga rrugët më të vjetra të qytetit të Shkodrës. Ndonëse pak metra larg qendrës së qytetit, rruga "Ali Kelmendi" do të njohë ndërhyrjen e parë që prej 20 vitesh. Gropat e mëdha që ishin hapur në aksin e saj, si dhe hedhja herë pas herë të inerteve për t'i mbushur ato, e kishin kthyer këtë rrugë në një ferr të vërtetë për banorët e kësaj zone, por edhe për drejtuesit e mjeteve. Vetëm sivjet u bë e mundur sigurimi i fondeve për rikonstruksionin e plotë të këtij segmenti. Ndërhyrja në këtë rrugë do të lehtësojë qarkullimin e banorëve dhe mjeteve, pasi një pjesë e tyre bllokonin qendrën e qytetit për t'iu shmangur sadopak gropave. Aktualisht firma fituese ka filluar nga puna për heqjen e dherave të tepërta, që janë mbivendosur në tabanin e rrugës në një trashësi prej rreth 70 cm nga ku më pas do të vazhdohet me proceset e tjera që parashikon projekti për rikonstruksionin e rrugës, si plotësimi i rrjetit inxhinierik, asfaltimi, ndriçimi etj. Sipas drejtuesve të bashkisë, rikonstruksioni i këtij aksi ishte një ndër sfidat e tyre. r.d