E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikat e BB: Lejet e ndërtimit dhe taksat

 

Fabiola Çela

Lejet e ndërtimit dhe pagesa e taksave, janë dy pikat më të dobëta të administratës shqiptare karshi biznesit. Për të marrë një leje ndërtimi duhet të kalosh shumë procedura. Për shkak të këtyre peripecive, Shqipëria është renditur e 170-ta në raportin e Bankës Botërore “Si të bësh biznes 2009”, në marrjen e lejes së ndërtimit. Gjatë prezantimit të këtij raporti nga vetë hartuesit e tij, janë vënë në dukje fushat ku Shqipëria duhet të bëjë hapa përpara, ku një ndër to është edhe marrja e një leje ndërtimi. Madje, sipas këtij raporti, duhet 60 ditë për regjistrimin e një ndërtese të re në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Por sipas nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri, ekzistenca e një sërë procedurash për marrjen e një leje ndërtimi janë reflektim i një kuadri ligjor. Madje, sipas saj, pushteti lokal nuk ka autoritet për shkurtimin e procedurave. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të qeverisë Berisha. “Unë di sipërmarrës që janë larguar vetëm nga procedurat”. Por sipas tij, kjo situatë do të përfundojë, pasi së shpejti pritet që të kalojë në Parlament një ligj i ri. Ndërsa sipas hartuesve të projektit, është shumë e rëndësishme që procedurat që kanë të bëjnë me sigurinë e ndërtesave të mos harrohen, por thjesht të thjeshtohen për biznesin. E të njëjtit mendim ka qenë edhe drejtoresha e Banës Botërore në Shqipëri, Camilla Nuamah. “Nuk dua të jetoj në një ndërtesë ku nuk janë marrë masa për tërmet”, ka thënë ajo.
Raporti
Në raportin e BB-së, Shqipëria është renditur e 143-a në listë përsa i përket pagimit të taksave. Biznesit i duhet të kryejë 44 pagesa taksash në vit dhe i duhet të shpenzojë 244 orë për pagimin e taksave. Punësimi i punonjësve është një tjetër pikë ku Shqipëria është renditur drejt fundit të listës, pra në vendin e 108. Problematike mbeten edhe zbatimi i kontratave si dhe regjistrimi i transferimit të pasurisë. Për këtë të fundit biznesit i duhen 42 ditë, duke përfshirë këtu noterizimin, regjistrimin dhe pagimin e taksave. Treguesi me pikët më të pakta në këtë raport ka qenë mbyllja e një biznesi. Në fakt, nuk ekziston asnjë praktikë e mbylljes së një biznesi. Në Shqipëri të hapësh një biznes është goxha e lehtë, por nuk është e njëjta gjë për ta mbyllur atë. Një situatë e tillë është krijuar pasi deri më tani nuk ka patur një ligj të mirëfilltë për falimentin e kompanive. Por, pavarësisht këtyre fushave ku qeveria shqiptare duhet të ecë me hapa më të shpejtë, raporti “Si të bësh biznes në 2009”, e rendit vendin tonë të dytin mes vendeve që kanë kryer reforma për të lehtësuar bërjen e biznesit gjatë harkut kohor 2007-2008. Sipas raportit, Shqipëria ka bërë progres në lidhje me kreditimin përmes krijimit të regjistrimit të kredive. Gjithashtu me hapa pozitivë është ecur edhe drejt forcimit të mbrojtjes së të drejtave të investitorëve dhe aksionerëve përmes ligjit të ri të shoqërive tregtare.
Biznesi 
Gjatë prezantimit të raportit “Të bësh biznes”, të hartuar nga ekspertë të Bankës Botërore, kryeministri u ka kërkuar drejtuesve të bankave që të ulin koston e shërbimit për bizneset. Madje, sipas tij, shërbimet bankare duhet të bëhen përmes sistemeve elektronike. Por sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, bankat janë të përgatitura për këtë lloj sistemi, por problem mbeten kompanitë. Ndërkohë gjatë prezantimit të djeshëm të raportit, përfaqësues të biznesit nuk lanë pa përmendur problemet që ata kanë hasur në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të biznesit. Sipas juristit Genc Boga, shumë biznese hasin probleme në QKR, pasi stafi i këtij institucioni nuk u kërkon bizneseve dokumentet e reja që përcakton ligji i ri.   

Ruli: Bursa e Tiranës brenda 2009

Bursa e Tiranës parashikohet të nisë nga puna vitin e ardhshëm, ku pritet të listohen edhe kompanitë e para. Sinjalin e ka dhënë vetë kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Genc Ruli, gjatë prezantimit të djeshëm të raportit të BB-së. Në fakt, bursa si institucion nga ana ligjore ekziston si institucion, por nuk i ushtron funksionet e saj. Bursa e Tiranës është e para bursë e krijuar në Shqipëri. Ajo e mori licencën përfundimtare si treg letrash me vlerë në 1 korrik 2003, nga Komisioni i Letrave me Vlerë. Kjo licencë u rinovua përsëri në vitin 2005 për një periudhë 2-vjeçare. Ndërkohë qeveria në strategjinë e saj për zhvillimin e tregut të kapitaleve synon integrimin e saj në një bursë rajonale në kuadër të zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, ku bën pjesë edhe Shqipëria në këtë bllok.

Debatet

Mbrojtja e investitorëve dhe krijimi i shoqërive të përbashkëta 

Genc Ruli (ministër i METE): Ky është një indikator ku Shqipëria ka bërë kapërcimin më të madh. Ligji i ri i shoqërive tregtare është hartuar në bashkëpunim edhe me konsulentët e huaj. Por ajo çka do të doja të thosha është fakti se Shqipëria nuk ka shumë traditë në pasjen e një kapitali të përbashkët dhe sigurisht që mungesa e një kulture të tillë ka bërë që biznesi të ketë kapital individual. Por do të ishte shumë pozitive nëse do të krijoheshin shoqëri të përbashkëta, pra më shumë aksionerë. Madje, unë do e quaja pozitiv faktin që investitorët e huaj pranojnë të bëhen partnerë me ata vendas.

Daniel Berg (Berzh): Për ne është e rëndësishme që të ketë një kuadër të tillë ligjor.

QKR sa ndikon në zvogëlimin e informalitetit

Genc Boga (jurist): Sistemi filloi rishtas dhe shumë persona që janë në krye të këtij institucioni janë ende të rinj, ata punojnë ende me ligjin e vjetër. Pra, në QKR nuk të kërkojnë dokumentet sipas ligjit të ri dhe kjo vjen nga mungesa e trajnimit të personelit. Por kjo krijon probleme për investitorët e huaj, p.sh. nëse nuk shkojnë tek noteri nuk marrin licencën. Ndërsa për sa i përket mundësisë së aplikimit on line, kjo është e vështirë, pasi jo të gjithë e kanë një mundësi të tillë.

Sali Berisha: Është e vështirë që të gjesh një jurist që është i përditësuar me ligjet, por mendoj se noterët nuk janë të domosdoshëm në QKR.

Kostoja e bankave

Sali Berisha: Unë do i nxisja bankat që të shikojnë kostot për biznesin. Do ju lutesha që të ulnit koston e shërbimit për ta. Shërbimet bankare duhet të kryhen përmes sistemeve elektronike. Jemi të gatshëm që të japim ndihmën tonë për këtë proces.

Ardian Fullani (guvernator i BSH-së): Vlerësojmë ato që thatë, por 2 vjet më parë ne zhvilluam një mbledhje, ku në qendër në diskutimit ishte sistemi bankar elektronik, por problem mbeten kompanitë. Ne kemi një qasje që biznesi duhet të shkojë te bankat dhe jo e kundërta. Banka shqiptare është e gatshme që me sistemin që ka të presë biznesin.  

Reformat dhe zbatimi i tyre

Genc Boga (jurist): Shpeshherë ndodh që kur ne kemi mbyllur diskutimet me përfaqësuesit e qeverisë për një draft të caktuar, dhe ky draft miratohet brenda pak ditësh. Pra nuk është një praktikë e mirë që ligjet miratohen, pa konsultimin e biznesit. Për sa i përket zbatimit të ligjeve, ne na mungojnë punonjësit. Për më tepër që sistemi gjyqësor nuk funksion siç duhet.

Sali Berisha: Këshilli konsultativ i biznesit duhet të jetë më i madh, pra që të ketë komunikime më të mira me biznesin. Edhe unë kam përshtypjen që ky këshill e ka ngushtuar komunikimin.

Genc Boga (jurist): Këshilli ekziston, por s’e dëgjon njeri.

Investimet e huaja

Genc Ruli (ministër i METE): Mendoj që një nga përgjigjet për të tërhequr investitorët dhe për t’i mbajtur ata janë parqet industriale. Vetëm këtu ne mund t’u japim aksesin e duhur. Aktualisht janë gjashtë projekte të tilla, ku për tre prej tyre gara ka përfunduar.      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›