Ali Podgorica, në bronz për të nderuar kryebashkiakun e parë
DURRES - Hafiz Ali Podgorica, kryebashkiaku i parë i Durrësit është derdhur në bronz, në një shesh antik të qytetit, vetëm 10 metra larg Bashkisë. Atij i takon merita e ngritjes së flamurit shqiptar në mes të Durrësit, më 26 nëntor të vitit 1912, dy ditë përpara shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Podgorica, një shqiptar i Malit të Zi përjetoi në krye të Bashkisë së Durrësit momentin e kalimit nga varësia e Perandorisë turke, në atë të shtetit të ri shqiptar. Ai ishte një klerik i lartë i besimit mysliman, i shquar për veprimtarinë e tij patriotike që drejtoi Bashkinë e Durrësit nga viti 1909 deri në 1912. Kryebashkiaku aktual Vangjush Dako dhe krerë të tjerë të Prefekturës dhe Qarkut vlerësuan me rastin e kësaj dite këtë figurë madhore të qytetit. Në fjalën përshëndetëse shprehën mirënjohjen edhe familjarë të ish-kryebashkiakut Hafiz Ali Podgorica. Duhet thënë se ishin klerikët shqiptarë të besimeve të ndryshme fetare, ata që ndihmuan me kontributin e tyre në shpalljen e pavarësisë. Ata ishin jo vetëm të arsimuar në universitete dhe shkolla prestigjioze të kontinentit, por edhe bij të familjeve fisnike. o.u