Burg të ndaluarve në Kakome
SARANDE – Lihen në burg pa afat 4 banorët e Nivicës, të arrestuar për pengimin e punimeve të firmës që po hap rrugën për fshatin turistik në Kakome. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Sarandës u vendos kjo masë sigurie për të ndaluarit prej 21 nëntorit, gjatë protestës në afërsi të Grykës së Prodanit. Çështja penale në ngarkim të Klemend Baxherit, të Thanas Vitos, Sokol Mungulit dhe Nevil Papagjikës, ka pasur për prokuror kreun e organit të akuzës, Alfred Agolli, ndërkohë që gjyqtar i saj ka qenë Elidon Papazisi. Katër të ndaluarit nuk kanë pranuar asnjë prej akuzave të ngritura ndaj tyre: “kundërshtim me dhunë të forcave të policisë” dhe “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”. Sipas burimeve nga gjykata, as të pandehurit e as avokati i tyre nuk i kanë pranuar akuzat që rëndojnë ndaj tyre. Të njëjtat burime thanë se ndaj të arrestuarve kanë rënë dy prej akuzave të vëna në momentet e para të ndalimit, si ajo e “vjedhjes” dhe “fyerje për shkak të detyrës”. sh.d