Kullat te Treni, fituese dy studio
ZIRINA LLAMBRO
Do të jenë dy studio të huaja që do të ndërtojnë kullat multifunksionale te stacioni i trenit në kryeqytet. Këto objekte janë të parashikuara nga Masterplani i Qendrës së Qytetit të Tiranës. Pas çeljes së konkursit ndërkombëtar nga Bashkia e Tiranës, dje pasdite juria shpalli fituese studion “Gigantes –Zenghelis Architects”, për kullën në jug, dhe “De Architekten Cie” për kullën në veri. Ndonëse 3 studiot konkurrente paraqitën një projekt–ide të plotë për ndërtimin e të dy kullave, juria e pa të udhës që të kualifikojë për secilën një prej tyre. Studioja shqiptare “DEA”, e cila mori pjesë në konkurs, nuk arriti të fitojë. Por investitore do të jetë shoqëria “Tirhino” shpk, në Tiranë. “Tirana është bërë stacioni ku ndodhin ngjarje shumë të rëndësishme për të nesërmen, ngjarje që kanë të bëjnë me ide të reja, me projekte dhe ambicie të jashtëzakonshme njerëzish që bashkëpunojnë pa kufi”, tha Kryebashkiaku Rama gjatë prezantimit të projekteve.
Studioja holandeze
Ideja e kësaj studioje është të krijojë një kombinim mes imagjinatës dhe realitetit. Kullat konceptohen si udhërrëfyes për pjesën e jashtme të qytetit. Ato do të ketë hotel, zyra, rezidenca që do të kombinohen në planin horizontal. Vendi i parkimit është i kombinuar me një shesh aty pari. Është menduar gjithashtu prezantimi i një piaze të vogël, që i jep jetë katit të parë. Pas parkut është niveli i katit të parë me hyrje, ku ka dyqane, De Architekten Cie, është përpjekur të lidhë parkun me ndërtesat. Në qendër të piazës është menduar një tribunë e vogël muzikore.
Gigantes –Zenghelis Architects
Studio Gigantes-Zenghelis Architects koncepton planifikim në bllok. Ata kanë menduar krijimin e një parku qendror, i cili është konsideruar si një element me rëndësi në projekt, dhe marrin në konsideratë densitetin dhe lartësinë e pemëve. Stacioni i Trenit për Gigantes-Zenghelis Architects konsiderohet si vend që përbën një element të ri për qytetin. Për studion, dy kullat konceptohen të thjeshta. Fasada do të jetë blu. Në koncept-idenë e tyre ata kanë përdorur një gjuhë të thjeshtë. Po ashtu ata e shohin projektin si një çështje të hapur dhe që lë vend për t’u zhvilluar më tej. Fakti i të qenit “ballkanas” merr rëndësi në konceptimin e tyre. Këto janë gjëra që bëjnë ndryshimin. Në shesh janë konceptuar kinema verore, lokale dyqane.
DEA STUDIO- Shqipëri
Pjesëmarrëse në konkurs ishte edhe studioja shqiptare “Dea”. Ajo nuk arriti të kualifikohej. Në projektin e kësaj studioje ishin të përfshira të gjitha funksionet publike. Kullat mendohej të shërbenin si “pishtar” gjatë natës për qytetin. Në projektin “Dea” studio ishte menduar si krijimi i minishesheve për ndërveprim social dhe rritjen e funksioneve urbane. Një risi ishte krijimi i Qendrës së Artit që do të thotë hapësira publike të integruara. Në katin e parë ishin projektuar bare e zyra.
Godina e parë ishte konceptuar me 26 kate ndërsa Godina e dytë me 22 kate. Gjithashtu në projekt ishte synuar të krijohet lindja e një zone të re të rëndësishme në qendër të Tiranës.