E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumbi: Rama jo kandidat për bashkinë,të merret me PS-në



Alfred Peza

Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, i ftuar në emisionin “Ora e intervistës” në Ora News me gazetarin Alfred Peza, tha se Edi Rama nuk duhet të rikandidojë për Bashkinë e Tiranës në 2011, por të merret me punët e partisë që ta sjellë atë në pushtet. Duke folur për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit, Pëllumbi shprehet se duhet të numërohen dhe fletët e votimit e nëse dalin parregullsi, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, PS ashtu si dhe partitë e tjera të majta, duhet të bëjë një katharsis, të rinovojë strukturat e saj dhe të bëjë largime të atyre që veprojnë kundër vijës së PS.
Ju ishit pranë grevës së urisë, por nuk ju pamë asnjëherë në tribunë që ta përshëndesnit. Përse?
Unë nuk jam i tribunave, kam qenë dikur kur i organizoja vetë mitingjet. Jo vetëm nuk jam ftuar për një gjë të tillë, por dhe nëse do të ftohesha, nuk do të merrja pjesë sepse unë realisht nuk jam në politikën aktive, më tepër merrem me studime dhe e studioj politikën. Në fakt, unë kam pasur një lloj rezerve për mënyrën e trajtimit të çështjeve në këto mitingje, me fjalime të gjata, shpesh dhe me sharje, etj. Unë nuk ndaj këtë mënyrë të bërit opozitë, me fjalime, me retorika etj. Mbase u teprua në këtë anë dhe ndonjë vërejtje edhe mund t’ua kem bërë për këtë. Nuk kishte nevojë për aq shumë retorikë, kishte nevojë për disa argumente që të të nguliten në kokë. Dhe në këtë kuadër, unë nuk e gjeja veten për të folur, por kjo nuk do të thotë se unë nuk i mbështeta.
Si mund të jetë zgjidhja ideale e situatës politike?
Zgjidhje ideale nuk ka. Në demokraci partitë dhe politikanët duhet të jenë të përgatitur dhe të aftë për kompromise. Por kompromiset janë tjetër gjë dhe pazaret janë tjetër gjë. Ajo që kërkohet mund të duket maksimale e palës tjetër, qëndrimi që i maxhorancës i duket radikal, jobashkëpunues, mohues të gjithçkaje. Atëherë zgjidhja duhet të jetë diku në qendër. Siç shkojnë partitë në qendër, dhe qendra ngrihet mbi bazën e klasës së mesme, edhe zgjidhja duhet të jetë në qendër. Zgjidhja duhet të sillte tërheqjen e opozitës nga diçka, maxhoranca tërhiqet nga disa pozicione dhe takohen diku në qendër, duke dalë me angazhime dhe pozicione të përbashkëta.
Si mund të jetë?
Si të shkojnë partitë në qendër dhe ngrihet mbi bazën e klasës së mesme. Zgjidhja do të ishte kjo, që opozita të tërhiqet nga diçka dhe shkon në pritje të maxhorancës. Kjo e fundit me qëndrimin e vet tërhiqet nga disa pozicione dhe takohen në qendër. Pozicionet e tyre do të jenë të ngjashme, angazhime konkrete, transparente dhe të shkruar në letër. Opozita e ka moderuar mjaft qëndrimin e saj, hyri në Parlament, la bojkotin.
Kush mund të jetë kompromisi?
Të pranohet ngritja e komisionit me ato kërkesa që ka bërë opozita, të ngrihet edhe një komision tjetër që të merret me Kodin Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme, t’u jepen atributet përkatëse që të fillojnë të punojnë. Pastaj hapen kutitë e materialeve zgjedhore, në përputhje me kërkesën e komisionit për të verifikuar atë material zgjedhor që i duket i dyshimtë apo që vërtet kërkon thellim, të kërkojë edhe hapjen e kutive të fletëve për atë pjesë, nëse gjen prova. Ato prova të shoqërohen edhe me numërimin e votave.
çfarë ndodh pas kësaj?
Do të bëhet transparenca, do të referohet në Parlament, do të dalë përgjegjësia për disa komisionerë, disa strukturave zgjedhore dhe pastaj do të gjykohet nëse shkalla e këtij deformimit është e tillë që e vë në pikëpyetje legjitimitetin e maxhorancës dhe të Qeverisë, zgjidhja politike e vetme në këtë rast janë zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme janë një lloj valvule shkarkimi i tensioneve politike dhe problemeve që grumbullohen gjatë këtyre katër viteve, kur këto grumbullohen në njësi kohe më të shkurtër, atëherë zgjedhjet e parakohshme janë valvul shkarkimi. Nuk duhen krijuar precedentët duhet menduar që e përgjithshmja është një herë në katër vjet, por ne kemi demokraci të konsoliduar, që kanë bërë zgjedhje të parakohshme dhe absolutisht asgjë nuk ka ndodhur. Madje vetë maxhoranca e kërkon këtë valvul shkarkimi, këtë faktor stabiliteti. Por nëse do të bëhen zgjedhje si 28 qershori, atëherë më mirë të mos bëhen asnjëherë, bile as pas 4 vjetësh të mos bëhen, zgjedhjet duhet të bëhen sipas standardeve, prandaj edhe komisioni duhet të hartojë standardet fikse, të parashikojë të tëra rastet e mundshme të manipulimit, madje të parashikojë forma të tilla të manipulimit që të jenë bashkëkohore, që të mos na ndodhë kjo që na ndodh këtu me numërimin e votave.
Pse zhvillohen në këtë mënyrë zgjedhjet tek ne?
Sepse janë të interesuar për manipulim.
Të dy palët?
Të dy palët, por sigurisht më shumë ajo palë që ka përgjegjësinë për të zhvilluar zgjedhjet. Kemi mungesë të theksuar vullneti politik.
Përpara kemi zgjedhjet e reja lokale, sipas jush, zoti Rama, duhet të kandidojë për kryetar i Bashkisë së Tiranës?
Nuk mund ta them me saktësi se si do të ndodhë. Në fakt Edi Rama si kryetar bashkie ka krijuar një përvojë të vetën, është treguar shtetar i zoti në drejtimin e Bashkisë. Por kuptohet, se si kryetar partie edhe kryetar bashkie është mbingarkesë, kështu që mund të ketë të tjerë për të kandiduar. Në këtë kuptim mund të ndahen këto dy funksione.
Në mënyrë që t’i përkushtohet totalisht drejtimit të opozitës, jo të punëve të qytetit?
PS është një parti e madhe që kërkon qeverisjen e vendit. Kuptohet kërkon shumë punë, në fakt Edi Rama është një njeri që punon shumë, sakrifikon shumë nga qetësia dhe pushimi i tij, është një njeri që gjendet gjithnjë në punë, në këtë aspekt është për t’u admiruar. Në këtë aspekt edhe Berisha njihet për punë. Të dy nga kjo anë ngjasojnë, sikur kjo punë të ishte e tëra në funksion të qeverisjes, do të kishte rezultate të mira. Por, harxhohet kohë nga përplasja e forcave.
Pra ju po thoni se zoti Rama të mos kandidojë që t’i përkushtohet opozitës?
Në mënyrë paraprake, kjo është një çështje që i takon drejtuesve të partisë, me logjikën time, duke pasur parasysh që drejtimi i partisë ka një angazhim shumë të madh dhe që duhet të zbres shumë më tepër në bazë, tek anëtarët e partisë, strukturat e partisë, vetvetiu do të dalë që duhet ta lërë drejtimin e Bashkisë, duhet të lërë mangët diçka këtu. Në këtë aspekt, përderisa PS njerëz ka, mund të kandidojë edhe një tjetër.
A ka PS pas 19 vitesh një shtrat ideologjik?
Realisht po ndodh një varfërim ideor i së majtës në përgjithësi, edhe në Evropë. Në shumë raste, të majtëve ua kanë marrë “bukën nga goja” partitë e tjera politike. E majta nuk ka më ide. Vërtet ranë ideologjitë, por nuk duhet të bien idetë dhe filozofia.
Kur mund të kthehet në pushtet e majta shqiptare dhe LSI e PS janë ndarë përfundimisht në këtë drejtim?
Ka ndarje drejtuesish ka edhe ndarje strukturash në kuptimin e të majtës. Unë mendoj që nuk kemi ndarje strukturash. E majta është e majtë, mund të gjenden figura të tilla që mund t’i bashkojë. Këtu padyshim është e nevojshme një lloj pastrimi i strukturave drejtuese të disa partive të së majtës.
Përfshirë PS?
PS po e bën dhe e ka bërë, ka vend, pas kësaj duhet të bëjë një rifreskim të strukturave, kjo edhe në përputhje me pozicionet e njërit apo tjetrit. Sepse nuk mund të mbash sekretar apo anëtar kryesie njerëz që realisht vazhdojnë të kontribuojnë në të kundërtën e qëndrimeve të partisë. Kemi raste të partisë laburiste apo dhe në Greqi, që kur votuan kundër qëndrimit të partisë, u përjashtuan. Askush nuk persekutohet, askush nuk përndiqet sepse nuk pajtohet me këtë parti, atëherë ai voton kundër, ik gjej vendin në një vend tjetër, kontribuo në një vend tjetër, por në këtë parti bëhesh pengesë. PS duhet të zhvishet nga ky lloj paragjykimi se po bëri ndonjë përjashtim mos më thonë që po bën si parti e punës, iku ajo, s’ka më parti pune.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›