E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aliaj: Nuk do të kandidoj për proporcionalin e PD

28/05/2005  Kandidati i opozitës përballë Nanos deklaron regjistrimin në KZZ

Kandidati i PD-së, përballë Fatos Nanos, në zonën 99, në Sarandë, ka deklaruar se nuk do të pranojë oferta për të kandiduar në listën e proporcionalit si i favorizuar. Në një deklaratë për mediat, Besnik Aliaj deklaron se ka marrë mbështetjen e zgjedhësve të Sarandës. "Në respekt të raportit të mrekullueshëm dhe pa paragjykime që kam krijuar tashmë me zgjedhësit sarandiotë, si dhe me opinionin civil mbarëshqiptar, do të dëshiroja të deklaroja publikisht, megjithë mirënjohjen e duhur, refuzimin e çdo lloj oferte për t’u regjistruar si kandidat i listës proporcionale të frontit opozitar", tha Aliaj. Gjithashtu, ai ka bërë të ditur regjistrimin zyrtar në Komisionin Zgjedhor Zonal, duke deklaruar kështu nisjen e fushatës elektorale.

Regjistrimi

"Përmes shpalljes së vendimit tim, për t’u rregjistruar si kandidat i frontit opozitar në zonën nr. 99, jam munduar të hap një dialog komunikimi jo vetëm me banorët e qytetit të Sarandës, por me opinionin civil, që ka kuptuar tashmë nevojën për një ndryshim cilësor në marrëdhëniet midis vendimmarrjes dhe qytetarit. Pas një periudhe pak më shumë se njëmujore, ndjehem edhe më i sigurt në vendimin tim, pasi për këtë vendim po marr vazhdimisht dhe, ditë pas dite, një mbështetje solide dhe domethënëse nga mbarë opinioni publik dhe në mënyrë të veçantë nga qytetarët sarandiotë, të cilët e kanë parë pa kurrfarë paragjykimi këtë lëvizje", tha Aliaj. Në këtë mënyrë, ai ka hedhur poshtë mundësitë e një koalicioni të mundshëm me forca të tjera politike, apo dhe të fjalëve të përhapura se kandidimi i tij prej PD-së nuk ka qenë për konkurrencë reale. "Zgjedhësi nuk bie viktimë as e presionit të pushtetit as të parasë. As nuk gënjehet nga shashkat e tipit ´Besnikun e kanë çuar në Sarandë për ta djegur´ apo ´Besniku ka pranuar Sarandën, pasi ka bërë një pazar me Saliun për deputet në listën proporcionale´", tha Aliaj. Ky ka qenë dhe shkaku i tërheqjes së Aliajt nga lista e proporcionalit. "Do të dëshiroja t’i drejtohesha hedhësve të këtyre shashkave, duke iu thënë: “Ju lutem mos fyeni inteligjiencën e qytetarëve. Mos pretendoni që opinioni t’ju ndjekë në rrugën e shpifjeve dhe kulisave”, theksoi Aliaj.

Kundërshtarët

Në zonën 99, në Sarandë janë shpallur si konkurrentë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, Fatos Hysi, nga Partia Socialiste, Fatos Nano dhe nga Partia Demokratike Fatos Nano. Kjo pritet të jetë dhe përplasja më e ethshme në zonat zgjedhore. Kjo dhe për shkak se do të ketë dhe një konkurrencë të ashpër dhe prej Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, që kanë deklaruar daljen nga koalicioni i majtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›