E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miss Shqipëria, Princeshat

28/05/2005  Spektakli "Miss Shqipëria" ka hyrë në fazën e tij të fundit. Petri Bozo, drejtues i shoqatës "Deliart Association", organizatore e këtij aktiviteti, por edhe regjisor i spektaklit, pohon për "Metropol", se këtë vit është shënuar një numër rekord vajzash pjesëmarrëse. Spektakli final, i cili do të zhvillohet në kalanë e Kaninës, në qytetin e Vlorës, në datën 18 qershor "do të ketë shumë surpriza", thotë Bozo. Por ai ngre edhe shqetësimin si producent, pasi "duke përjashtuar epokën e parë, pas daljes nga diktatura, ku biznesi financoi shumë bujarisht këto aktivitete, për fat të keq, me kalimin e viteve ka ardhur duke u rudhur. Kjo, edhe për vetë faktin se ende nuk ka një kuadër ligjor të saktë në lidhje me çështjen e financimeve të aktiviteteve të ndryshme, që do të thotë ulje e taksave apo edhe shuma të kthyeshme, sikundër ndodh në të gjithë Botën...".

Pak ditë më parë, në një intervistë televizive, pohuat faktin se ka një rekord vajzash pjesëmarrëse në aktivitetin e "Miss Shqipëria" të këtij viti...

Eshtë e vërtetë, madje, edhe në rast se i referohemi aktivitetit të vitit të kaluar, që mbahet si më i suksesshmi, ky fakt është shumë i dallueshëm. Kjo, pasi jo vetëm është dyfishuar numri i vajzave të paraqitura në audicion, por një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë, nga vende të ndryshme, si Greqia, Zvicra, Italia etj. Një fakt që na ka bërë shumë përshtypje është se vajzat kanë një nivel të lartë jo vetëm në aspektin e paraqitjes fizike, por edhe se në moshën mesatare të tyre kemi një "rritje". Në krahasim me disa vite më pare, ku vajzat kishin një moshë nga 15-16 e deri në 18 vjeç, këtë vit vajzat e paraqitura janë edhe 19, 20 apo edhe 21-vjeçare, madje edhe 22-23-vjeçare. Një fakt tepër pozitiv për ne.

Përse e konsideroni këtë fakt kaq pozitiv?

Eshtë pozitiv, pasi në këto mosha vajzat janë shumë më të ndërgjegjshme për hapin që kanë bërë, por edhe kapaciteti për të mësuar aspektet koreografike, ato filmike, apo edhe aktrimin, deri në atë masë që duhet, është shumë më i madh, fakt që e lehtëson shumë punën tonë, si në aspektin kohor, ashtu edhe energjik. Por në të njëjtën kohë i ndihmon edhe ato vetë të prezantohen sa më denjësisht para publikut. Përpos kësaj, rreth 65% e vajzave janë studente. Këto ditë ne përfunduam edhe seleksionimin e 30 vajzave finaliste dhe presim vetëm kandidaturën nga Kosova dhe ajo ç'ka konstatuam me shumë habi, por edhe kënaqësi në të njëjtën kohë, është se 80% e vajzave flasin mesatarisht mbi 3 gjuhë të huaja, një fakt tepër domethënës e që na bën të ndjehemi shumë mirë. Madje, 12 prej tyre janë greqishtfolëse perfekte. Natyrisht që koha në dispozicion, në krahasim me vite të tjera është shumë më e pakët, pasi deri në datën 18 qershor, që do të zhvillohet spektakli, kemi vetëm 20 ditë në dispozicion, jemi shumë optimistë për realizimin e suksesshëm të tij, pasi niveli i vajzave na jep një ndihmë të çmuar, pa neglizhuar edhe faktin se edhe eksperienca e akumuluar në këto vite është një avantazh i madh. Gjithashtu kemi ftuar një koreografe të mirënjohur ruse, e cila do të jetë një eksperiencë e re dhe shumë pozitive, për të gjithë njerëzit e fushës.

Ju thatë se shumë vajza kanë ardhur nga vende të ndryshme. Po në hartën gjeografike të Shqipërisë si është pjesëmarrja?

Në përgjithësi kemi një përfaqësim të të gjithë territorit, nga Jugu deri në Veri, madje, edhe nga qytete të vogla si Laçi, Fushë-Kruja etj. Fakti që ne nuk e kemi për rregull absolut, vetëm një përfaqësim nga çdo qytet ndihmon shumë. Po të sjell si shembull Tiranën, ku është përqëndruar një përqindje shumë e lartë e popullsisë, është e pamundur të konceptohet vetëm një përfaqësim. Por ka edhe një problem tjetër. Shpeshherë, sikundër ndodh edhe me aktivitete analoge që zhvillohen te ne, përzgjedhja që bëhet nga bashkitë, apo ndonjëherë edhe nga njerëz jo kompetentë, ka treguar se niveli i përfaqësimit ka qenë shumë i dobët, pavarësisht se në pamje të parë duket sikur ka një shpërndarje gjeografike perfekte. "Miss Shqipëria" ka synuar që të krijojë një traditë, në mënyrën më të mirë të mundshme të bukurisë maksimale femërore shqiptare, në mënyrë që të prezantohet sa më denjësisht në evenimentet e ndryshme ndërkombëtare, me të cilat ne kemi nënshkruar kontrata. Natyrisht që ne kemi kontakte me aktivitete të kësaj natyre që zhvillohen në rrethe të ndryshme të vendit, sikundër rasti i “Miss Durrësit“, Vlorës etj., të cilat kanë ardhur te ne, por kjo nuk do të thotë se ne pranojmë detyrimisht ato vajza që na vijnë nga këto aktivitete. Ne kemi kritere shumë strikte përzgjedhjeje dhe fakti se një vajzë është shpallur ’miss’ i një qyteti, nuk na detyron ta pranojmë në aktivitetin tonë, pra jemi shumë të hapur ndaj të gjitha vajzave që prezantohen edhe nga i njëjti qytet. Duke patur parasysh që ne nuk kemi asnjë tarifë financiare për vajzat pjesëmarrëse, kjo ndihmon në pjesëmarrjen masive dhe forcon luajalitetin përzgjedhës.

Një spektakël që organizohet sërish në bashkëpunim me Top Channel...

Po, dhe pretendojmë që të rrisim akoma më shumë nivelin vizual dhe skenografik, pasi edhe kalaja e Kaninës ofron më shumë mundësi, por ka shumë herë më shumë punë se sa në Berat. Në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Vlorës, kemi gjetur skicat e para 100 viteve të kalasë dhe do ta ngrejmë atë, kuptohet në mënyrë butaforike, por duke respektuar maksimalisht skicat. Eshtë për të ardhur keq, por në kuadrin kohor të 100 viteve, kjo kala ka mbetur në 20% të asaj që ka qenë. Por në ekranin e televizorit do të krijohet bindja se është një kala e restauruar 100%. Një skenografi e Fatmir Mingës, me të cilin kemi menduar të ndërthurim në mënyrë perfekte imazhin modern skenografik me lashtësinë, duke përdorur edhe një element tjetër: emblemat e principatave shqiptare që do të sillen nga vetë "princeshat" e mbrëmjes, të stiluara nga Ardi Asllani. Gjithashtu do të luhet shumë me traditën e Vlorës, pasi edhe në videoklopin turistik do të preket gjithçka që ka lidhje me qytetin mikpritës, për të dhënë imazhin maksimal të tij, si në planin historic, ashtu edhe atë turistik, sikundër do të jetë edhe inskenimi i vajzave marinare, në nëndetësen 105...

Si janë raportet tuaja me biznesin sponsorizues?

Duke përjashtuar epokën e parë, pas daljes nga diktatura, ku biznesi financoi shumë bujarisht këto aktivitete, për fat të keq me kalimin e viteve ka ardhur duke u rrudhur. Kjo edhe për vetë faktin se ende nuk ka një kuadër ligjor të saktë në lidhje me çështjen e financimeve të aktiviteteve të ndryshme, që do të thotë ulje e taksave apo edhe shuma të kthyeshme, sikundër ndodh në të gjithë botën. Një ligj i papërfundur, të cilin e ndjejmë shumë ne që prodhojmë, por edhe publiku, i cili pret vazhdimisht më shumë aktivitete dhe me një cilësi gjithmonë e më të lartë. Madje mund të them se ka një mentalitet agresiv nga organet e tatimeve, që sapo dëgjojnë që një biznes mbështet një aktivitet, "sulet" të bëjë kontrolle. Këtë vit kemi patur edhe një "armik" tjetër: fushatën elektorale. Të njëjtën vështirësi provuam edhe në realizimin e "Netëve të klipit", ku buxheti që siguruam ishte minimal, por që, gjithsesi, ne mundëm ta mbyllim me sukses dhe ditën e shtunë, pra më 28 maj, te ambientet e hotel "Artur", në orën 20.30 organizojmë mbrëmjen gala të përfundimit edhe të këtij aktiviteti, për të vazhduar më pas me spektaklin "Miss Shqipëria" dhe, pavarësisht se Bashkia e Vlorës po tregohet pak skeptike, ne besojmë se kur të shkojmë në Vlorë, mikpritja e shquar vlonjate do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme.

Nis restaurimi i kalasë së Kaninës Kalaja e Kaninës në Vlorë, që është zgjedhur si skenë e spektaklit "Miss Shqipërisë 2005", po i nënshtrohet restaurimit nga specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, me synim kthimin në objekt të vizitueshëm të kësaj kalaje antike. "Kalaja aktualisht është në gjendje të pavizitueshme si objekt monumental, pasi ka dëmtime të dukshme sidomos në muret rrethues", tha Prof. Dr Valter Shtylla, specialist pranë IMK-së. Para viteve '90-të, për shumë vite Kalaja ka funksionuar si repart ushtarak, ndërkohë që ende gjenden aty si relike kazermat e vjetra, kurrizi i të cilave është pjesë e mureve të saj. Muri që ndan kalanë nga fshati nga pikëpamja gjeologjike ka një shkëputje në formacionin e kodrës, ndërsa muri përballë fshatit Kaninë është i mbuluar nga bimët kacavjerëse, rrënjët e të cilave dëmtojnë këtë mur", tha Prof.Dr. Shtylla. Sipas tij, në aspektin vizual do të bëhet evidentimi i mureve mesjetare të kalasë. Restaurimi teknik i saj përfshin eleminimin e zgavrave në mure dhe në bedenat e kalasë, i vijave rrjedhëse të ujit, plotësimi i gurëve që kanë rënë, etj, që mund të parandalojmë shkatërrimin total të këtij objekti me rëndësi historike për të gjithë Vlorën .

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›