Meta sot takime në zonën e Nanos

28/05/2005 Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim do të zhvillojë sot një takim elektoral në zonën ku do të kandidojë kryesocialisti Fatos Nano. Burimet kanë bërë të ditur se në këtë takim Meta do t'i kthejë përgjigje ftesave të herëpashershme, që Nano ka hedhur drejt LSI-së. Në këtë vizitë, Meta do të prezantojë kandidaturën e LSI-së në këtë zonë, Fatos Hysi, duke kërkur mbështetjen e kësaj kandidature. Kreu i LSI-së pritet të shfaqë programet e kësaj partie për turizmin në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e liberalizimit të tregut. Meta pak ditë më parë ka bërë të ditur se nuk do të jetë kandidat në proporcional për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në këtë qëndrim, ai u ka kërkuar kandidatëve të LSI-së anagazhimin e tyre për fushatën elektorale. Ndërsa ka shprehur besimin se LSI do të jetë forca kryesore pas zgjedhjeve të tri korrikut. Në lidhje me skemën e Dushkut, ku PS dhe PD i bëjnë thirrje elektoratit të tyre që të votojnë për aleatët, Meta është shprehur se kjo do të bjerë në dëm të dy partive që e kanë shpikur këtë skemë.