Aliaj: Pedagogët më kërcënonin me burg si dekadent
Alma MileNë fund të viteve ’80, ai këndonte në skenën e Festivalit të RTSH-së, një këngë romantike që quhej “Dashuria”. I veshur me kostum, me një qëndrim statik, ashtu si e kërkonin rregullat aso kohe... Sot shfaqet tërësisht ndryshe. Fëmijët kanë qejf t’i thonë “gangster”. Me flokë të qethur, me një vëth në vesh..., Robert Aliaj- Dragoti, sjell imazhin e një artisti bashkëkohor, që prej vitesh jeton dhe punon jashtë vendit. Pas vitesh mërgimi, fillimisht në Greqi e më vonë në Bruksel, artisti ka nisur të vijë ca më shpesh në Shqipëri. Kësaj here do të qëndrojë më gjatë. Pas paraqitjes në Konkursin e arteve pamore “Onufri 2009”, ku u mori pjesë me “Hijena dhe minj”, është angazhuar në një tjetër projekt. Bëhet fjalë për “Gjeniun e vogël”, spektaklin me fëmijë që organizohet çdo të shtunë në Tv Klan, e ku është një ndër anëtarët e jurisë. Duket i rreptë dhe fëmijët i druhen më së shumti gjykimit të tij, por vetë Robert Aliaj thotë se këtë e bën jo pa qëllim. “Dëshiroj t’ju tërheq vëmendjen artistëve të vegjël, se kënga shqiptare është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe si e tillë meriton më shumë respekt”, thotë ai. Në një intervistë ai tregon për projektin e tij tek “Onufri”, një punë që e ka realizuar gjithashtu me ndihmën e fëmijëve, shfaqjen më të fundit në ekranin e Tv “Klan”, por edhe të shkuarën në vitet e socializmit, kur pikturat e tij quheshin “dekadente”. Z. Aliaj, në edicionin e fundit të “Onufrit” ju u paraqitët me projektin “Hijena dhe minj”, ku trajtohet tema e diskriminimit dhe dhunës ndaj emigrantëve, ka një ngjarje konkrete që ju shtyu ta realizonit atë?“Hijena dhe minj”, është faza e fundit e projektit “The “6080K310i”, i cili u prezantua në Bienalen e fundit të Venecias, e që merr shkas nga një episod dhune në një komisariat policie në Athinë. Ky episod, në dukje sporadik, është kthyer në normalitet në Greqi edhe për faktin se vetë emigrantët e konsiderojnë veten fatalist si viktima “legjitime”. Pra, këtu ka dy fenomene: i pari, përdorimi i dhunës së institucionalizuar, që shkel të gjitha normat humane nga pozita e forcës, duke e konsideruar hapur emigrantin shqiptar jo të qytetëruar dhe si të tillë nuk mund ta quajmë as viktimë edhe së dyti për faktin se vetë “viktima”, e ka pranuar në mënyrë pasive trajtimin. Por kjo është vetëm shkëndija. Fenomeni i diskriminimit dhe dhunës është një realitet evropian dhe botëror. Pra, në këtë projekt ka një përpjekje për të përcjellë një mesazh ndërkombëtar. Kështu fillova të seleksionoj materialin bruto, ose lëndën e parë (videot e filmuara me celular të vendosura në net) të cilave iu dha forma dhe sensi social e artistik. Kjo me qëllim që ato të fiksohen në memorien kolektive nëpërmjet një strategjie të freskët deri komike-cinike, duke i kthyer ato në vizatime të animuara. Trajtimi i informacionit është një punë artistike e ekuilibruar emocionalisht dhe inteligjente me një mision krejtësisht të ndryshëm nga qëllimi i informacionit të origjinës. Përse zgjodhët fëmijët e shkollave për ta realizuar këtë projekt?Vetë shoqëria ku jetojmë sot është dhunshme, dhe me sa duket jemi të familjarizuar me të, që nuk reagojmë. Mendoj se fëmijët janë kategoria e parë sociale më e pafajshme dhe më e ekspozuar kundrejt dhunës, përfshirë këtu situatën kaotike në të cilën përballet ekzistenca e tij, e përditshmja. Le ta shikojmë dhunën që në aspektin më banal të jetës sonë të përditshme: jetojmë në një qytet, ku këmbësori ndjehet i zhvlerësuar, që s’ka asnjë lloj prioriteti, ku toleranca konsiderohet dobësi, ku policit ia shkel këmbën një drejtues automjeti sepse ai i zuri rrugën. Të mos harrojmë dhunën mediatike, televizionin, thirrjet gati për luftë ndërmjet pozitë-opozitës, përplasjet e forcave të rendit me manifestimet e tyre, interneti, për të përfunduar te konfliktet dhe tek dhuna verbale dhe fizike në familje. Të gjitha këtyre u shtohet dhe mungesa absolute e hapësirave publike sportive dhe argëtuese-rekreative, ku ata të dekontraktohen dhe të krijojnë lidhje sociale të prekshme dhe jo virtuale. Atëherë, për të sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar të rriturit në lidhje me të gjitha këto fenomene, mënyra më efikase është përcjellja e mesazhit nëpërmjet fëmijës. Kjo është mënyra më e mirë për të provokuar dialog me një grup më të madh të shoqërisë. Ajo nuk duhet të identifikohet me mikroskandalin sensacional të akademisë së shock-ut. Ana tjetër e medaljes është angazhimi i tyre në një projekt artistik bashkrealizues, e cila do t’i udhëzojë drejt hapësirave të artit. Do të bëhet arsye që edhe prindërit e tyre, që ndoshta nuk kanë vizituar kurrë një muze në jetën e tyre, të marrin iniciativën ta bëjnë këtë të nxitur nga fëmijët. Kjo do të rrisë numrin e audiencës në ato pak muzeume dhe në të vetmen hapësirë të arteve pamore në Shqipëri. Kjo do të kërkojë gjithashtu një vëmendje dhe angazhim serioz të politikës. Le të mos flasim pastaj për mungesën e një strategjie kombëtare arti. A mund të quhet veprimtaria juaj “e angazhuar”, apo ky projekt është një projekt i veçuar?Ky projekt nuk është aspak një përjashtim, por një vijim i konceptit të krijimtarisë sime. Një artist i vërtetë bashkëkohor pasqyron me simbolikën dhe gjuhën e tij artistike shqetësimet dhe problematikën e kohës, ngacmon, provokon dhe sensibilizon. Ndërkaq ndodheni në Tiranë si pjesëmarrës në një spektakël, që ka për protagonistë fëmijët, “Gjeniu i vogël”, ç’ju shtyu të merrnit pjesë në të?Aventura për të përjetuar edhe njëherë fëmijërinë time nëpërmjet eksperiencave të të tjerëve. Edhe tek “Gjeniu i Vogël”, dëshiroj të përcjell një mesazh, të cilin e konsideroj me rëndësi të veçantë për mbijetesën e traditës sonë. Dëshiroj t’ju tërheq vëmendjen artistëve të vegjël, se kënga shqiptare është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe si e tillë meriton më shumë respekt dhe se ajo duhet të bëhet prioriteti i zgjedhjeve të tyre. Ata janë të pafajshëm, jetojnë në një shoqëri, e cila përbuz vetveten. Kjo gjithashtu është një formë violence kundrejt personalitetit të fëmijës. Ata janë tashmë të ndërgjegjshëm për problemet që do të ndeshin në të ardhmen për faktin e të qënurit shqiptar, gjë për të cilën ata janë të pafajshëm. Kjo shprehet qysh në hapat e parë të karrierës së tyre artistike nëpërmjet zgjedhjeve që kanë bërë, për t’u përfaqësuar në konkursin e “Gjeniut të vogël” me këngë të huaja. Duhet thënë se jeni ca i “ashpër” me ta, sa e vështirë është të bësh “gjykatësin me fëmijët?Unë jam shumë i ndjeshëm në raport me fëmijët, dhe besoj se neve nuk na shkon roli i gjykatësit, por duke parë se si janë gjërat, ne ndjejmë nevojën për të ndërhyrë dhe kontribuojmë sado pak. Ky është dhe qëllimi i vërtetë i artit bashkëkohor, të shprehë shqetësimet e kohës në të cilën bëhet dhe mbi të gjitha tu paraprijë atyre. Dhe mënyra më e mirë është përmes atij brezi i brishtë, që pafajësisht beson verbërisht tek ne dhe ne nuk na falet t’i zhgënjejmë.është një angazhim që do të zgjasë, mund të ndikojë kjo në aktivitetin tuaj artistik?Asgjë nuk mund ta pengojë aktivitetin tim të mirëfilltë artistik. Unë kam qenë gjithë jetën time në një relacion “ménage a trois” me pikturën dhe muzikën, tani edhe spektakli, pse jo? Mund ta konsideroj si një performancë multimediale.Meqë është një spektakël që lidhet me këngën, e mendoni t’i ktheheni ndonjëherë asaj?Kjo mbetet një ëndërr e vjetër për mua, sepse unë nuk arrita t’i them gjërat të plota dhe siç desha në muzikë, u largova prej saj me mendimin se në atë epokë ishte e pamundur t’ia arrija qëllimit për shkak të problemeve, me të cilat u konfrontua pasioni dhe angazhimi im në atë kohe.Nëse kthehemi pas në kohë, ju keni studiuar për pikturë, por pushteti i atëhershëm ju detyroi t’i braktisnit studimet, cila ishte arsyeja?Arsyeja? Po ju tregoj një ngjarje që i referohet së kaluarës, kur unë tentova të provokoj “satanajt” me pjesëmarrjen time në ekspozitën “Nëntori”, që u organizua me rastin e 40- vjetorit të themelimit të PPSH-së në Galerinë Kombëtare të Arteve. Unë isha shumë i ri dhe spontan në krijimet e mia, por kjo nuk i pengoi anëtarët e jurisë, ish-pedagogë të Akademisë së Arteve ta konsideronin përpjekjen time si dekadente. Ajo ç’ka kisha paraqitur, ishte thjesht një peizazh ekspresionist dhe vetëm kaq. Në mbrëmje prisja të shpalleshin rezultatet dhe të mësoja ndonjë të re rreth përzgjedhjeve që ishin bërë, para se njëri prej anëtarëve të Byrosë Politike, përgjegjës për propagandën, z. Manush Myftiu, duhej të verifikonte përmbajtjen ideologjike. Dy nga anëtarët e jurisë, pedagogë të Arteve, më patën kërcënuar më parë me burg për prirjet e mia “dekadente”dhe tentativën anti-realizmit socialist. Unë isha tepër i ri për të pasur bindje të tilla. Por çudia ndodhi, Manush Myftiu kur e pa tablonë time të vendosur në tokë mendoi se ishte rrëzuar dhe kërkoi ta vendosnin në vend. Ishte shprehur se i pëlqente shuma ajo tablo. Askush nuk pati guxim ta kundërshtonte pëlqimin e tij. Unë mora pjesë kështu në ekspozitë. E gjithë kjo histori për të shpjeguar se pushtetin e atëhershëm e bënin këta pseudo-artistë e hipokritë mediokër me sjellje servile prej hiene, që nuk do të hezitonin të abuzonin me jetën dhe pasionin e një të riu, për të treguar vigjilencën ideologjike dhe aftësitë e tyre shërbëtore.Dhe së fundi, ç’projekte të tjera keni në duar?Sapo kam mbaruar një film të shkurtër dhe jam në proces të një tjetri. Artisti Robert Aliaj Dragot lindi në Tiranë më 18 shkurt 1960. I rritur në një mjedis artistik, interesi dhe pasioni për pikturën i lind qysh në moshë të vogël. Kreu studimet për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Ndonëse tepër i ri, iu desh të përballej me rregullat e ngurtat diktaturës. U quajt artist dekadent dhe krijimtaria e tij si një vepër që nuk përputhej me normat e artit të realizmit socialist, u detyrua të ndërpresë studimet artistike në vitin 1981. Në fund të viteve ’80, provoi suksesshëm në gjininë e këngës. Në vitin 1991 largohet nga Shqipëria për t’u vendosur në Greqi, ku iu dedikua tërësisht artit pamor. Aktualisht jeton dhe vazhdon karrierën artistike në Bruksel. Gjatë 10 viteve ka hapur ekspozita vetjake e ka marrë pjesë në aktivitete të tjera në disa vende të Evropës, si në Greqi, Francë, Zvicër, Belgjikë, Itali, etj. Ka marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare arti, si në International Fair’s Art, Bienalen e Venecias, etj. Shumë vepra të tij janë bërë pjesë tashmë të koleksioneve private, apo të galerive të ndryshme.