E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet në kishë kazani i pagëzimit të ortodoksëve

 PERMET/ PIRO NASENjë 31-vjeçar grabit kazanin e pagëzimit dhe të gjitha objektet që shfrytëzoheshin gjatë kungimit në kishën e Shën Premtes në Përmet.Etja për të fituar sa më shumë me objektet kishtare ka shtyrë një të ri nga fshati Zhepovë të kryejë grabitjen. Gjithçka ka ndodhur në mesnatë kur nuk pipëtinte askush në rrugë dhe në kushtet e mungesës së një rojeje në objektin religjioz ortodoks. Autori i kësaj vjedhjeje, 31-vjecari Françesko Kasaj, është arrestuar disa orë pas kryerjes së këtij akti nga ana e policisë së Përmetit. Një kazan bakri, dy shandane për vendosjen e qirinjve, dy kryqe metalikë bronzi si dhe objekte të tjerë me vlerë që shërbejnë për pagëzime, ishin në fokusin e grabitjes së Francesko Kasajt duke bërë selektimin e materialeve në ato me vlerë të madhe dhe ato që nuk kanë pasur asnjë lloj vlere për nga metali me të cilat ato ishin derdhur. I pari që ka konstatuar vjedhjen e objektit të kultit, i cili ndodhet në lagjen “Varrosh” të Përmetit, ka qenë epitropi i kishës që e gjeti portën hyrëse të hapur mesditën e së shtunës dhe pikasi çfarë kishte ngjarë. Sipas policisë, dera e kishës ka qenë e hapur me forcë nga Kasaj duke përdorur mjete rrethanore. Pasi ka hyrë brenda dhe i pashqetësuar nga askush, ai ka rrëmbyer përveç objekteve të sipërpërmendura, edhe kupën e kungimit me material argjend, një tabaka bronzi, xhezve, ibrik dhe 6 gota të gjitha bronzi, thikë kungimi, si dhe një objekt metalik në formë zogu, ngjyrë bronzi. Të gjitha këto objekte kanë vlera të rralla pasi janë të vjetra dhe pak gjenden në përdorim të përditshëm në zonën jugore. Specialistët e parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet, nga informacionet e marra në rrugë operative si dhe nga veprimet e shpejta hetimore, kanë bërë të mundur zbardhjen e plotë të kësaj vepre penale dhe brenda disa orëve arrestuan në flagrancë autorin e grabitjes së kishës. Gjithashtu kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale të gjitha sendet e vjedhura nga Kasaj. Objektet me material të pastër argjendi sipas specialistëve, vlejnë sot në tregun ndërkombëtar disa qindra euro për kg, pasi përveç kësaj, ato kanë dekoracione të rralla artistike. Pasi i kishte rrëmbyer nga kisha, gjysmat e objekteve të vjedhura 31-vjeçari Kasaj, i kishte fshehur në shkurre larg kishës dhe gjysmat në një banesë të braktisur brenda qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›