E Diel, 1 Nëntor 2026

Çobani terror fshatit me armë

 TEPELENE - Një çoban ka terrorizuar për orë të tëra banorët e fshatit Mezhgoran nga shkrehja e krismave të armës së zjarrit. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së shtunës, ndërsa dje Policia e Tepelenës ka arritur ta prangosë pas një pune disaorëshe. Specialistët e Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë, kanë arrestuar Rakip Banin, 60 vjeç, ish-banor i Mezhgoranit dhe aktualisht banues në Sarandë, si autorin e kësaj ngjarjeje. Kanë qenë banorët e fshatit ata që kanë vënë alarmin për situatën kaotike që mbretëronte në Mezhgoran, si pasojë e krisjeve të pakontrolluara të armës automatike që mbahej nga çobani i moshuar. Sipas vetë banorëve, Bani qëllonte me armë zjarri nga stani i tij në drejtim të fshatit duke vënë kështu në rrezik jetën e tyre. Forcat e Policisë kanë shkuar në vendngjarje duke vlerësuar maksimalisht situatën, e cila mund të precipitonte deri dhe në shkaktimin e viktimave të mundshme. Pasi kanë rrethuar zonën dhe marrë të gjitha masat për të mos lejuar qarkullimin e banorëve të rastit në afërsi të stanit të Rakip Banit, këtij të fundit i është bërë thirrje nga policia që të dorëzonte armën e zjarrit. Brenda një kohe të shkurtër u bë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij, ndërsa nuk dihen arsyet që e shtynë në këto veprime.   p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›