Peshkatari mbytet në Seman, s’gjendet trupi
FIER - Mbytet në ujërat e lumit Seman peshkatari 30-vjeçar nga fshati Sheqishtë i rrethit të Fierit. Erjon Korrobaci, ka qenë në vendin e quajtur ura e Mbrostarit kur papritur ka rënë në lumë në mënyrë aksidentale. Sipas dëshmitarëve që janë ndodhur në afërsi të ngjarjes, viktima më kot është munduar të dalë nga uji pasi rrjedha e ka marrë atë me vete. Burime nga vendi i ngjarjes, të cilët janë kryesisht peshkatarë u shprehën se 30-vjeçari dilte çdo të diel për peshkim në ujërat e lumit Seman. Por dje në tentativë për të kapur peshq, i riu, baba i një fëmije përfundoi tragjikisht në rrjedhën e ujërave të ftohta të këtij lumi. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, disa peshkatarë që janë ndodhur afër dhe kanë parë gjithçka sinjalizuan policinë. Kjo e fundit mbërriti në vend, por me gjithë kërkimet e kryera me ndihmën edhe të polumbarëve, deri në orët e mbrëmjes trupi i Korrobacit nuk u gjet. Dyshohet se trupi i tij mund të jetë çuar shumë tej nga rrjedha. Kërkimet po vijojnë me intensitet, por sipas burimeve, ende nuk ka asnjë shenjë të tij. Në kërkim të 30- vjeçarit janë vënë edhe të afërmit e tij. Ata deklaruan se i riu dilte herë pas here për peshkim në këtë zonë pasi ishte e vetmja mundësi mbijetese. m.r