Aliaj: Shqipëria do të ndahet në katër rajone të mëdha
26/01/2005 Një vend të veçantë në strategjinë e PD-së zë ndarja e re administrative, që është propozuar nga hartuesit e projekt-platformës, që pritet të bëhet pjesë e programit. Sipas këtij drafti, skemës së qeverisjes vendore, përveç qarkut dhe bashkisë, do t'i shtohet dhe qeverisja rajonale. Në të parashikohet një ndarje në katër zona të Shqipërisë që përfshijnë rajonin e veriut, ndarja jugore, ultësira perëndimore, si dhe pjesa lindore e vendit me qendër Korçën. Sipas hartuesve të kësaj porjekt-strategjie, kjo do të bëjë të mundur shmangien e preferencave zonale nga qeveria qendrore. Nga ana tjetër, një Pushtet Rajonal do të bëjë të mundur koordinimin më të mirë të politikave lokale me qeverinë. Kjo ndarje, sipas tyre, do të sillte dhe shpërndarje të pushtetit si dhe do të lidhte më shumë territoret me njëri-tjetrin. Qeveria rajonale, sipas platformës, është krah i qeverisë në nivel Rajonal dhe Lokal. Kjo pjesë e pushtetit emërohet nga qeveria qendrore dhe ka një buxhet të deleguar. Detyra e saj është grumbullimi i të dhënave nga pushteti lokal dhe ndihmon qeverinë në hartimin e politikave të zhvillimit rajonal. Detyrë do të jetë kontrolli dhe zbatimi i legjislacionit në Pushtetin Lokal, si dhe balancimi i diferencave të trajtimit mes qaqeve, prefekturave apo bashkive.