E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Vlorës dhe Beratit i hiqen deputetë i shtohen Tiranës dhe Dibrës

26/01/2005  Partia Socialiste ka pranuar ndryshimet në ndarjen zonale që do të jetë në funksion për zgjedhjet parlamentare. Mbledhja e Kryesisë, zhvilluar dje, ka propozuar dy formula, heqjen e dy zonave elektorale në rrethin e Vlorës dhe kalimin e tyre në favor të kryeqytetit, Tiranë dhe një në Dibër, ose heqjen e një zone në Berat dhe një në Vlorë, dhe transferimin në Tiranë dhe Shkodër. Në të kundërt me këtë, demokratët kanë kërkuar që t'i hiqen dy zona Vlorës dhe një Beratit dhe kalimin dy në Tiranë dhe një në Dibër. Ndryshime të vogla të kufijve, ka pësuar rreth 70 për qind e zonave elektorale. Miratimi i kësaj formule do të jetë deçizive për të gjitha partitë politike, pasi do të ndikojë si në organizimin e zgjedhjeve, ashtu dhe në nisjen e fushatës elektorale.

Vendimi

Partia Socialiste pranon në parim ndryshimet e dy zonave elektorale në vend. Këto ndryshime janë diskutuar dje në mbledhjen e Kryesisë të PS-së. Me këtë lëvizje të zonave elektorale, socialistët janë përpjekur të zbatojnë rekomandimet e OSBE-së për ndarjen e re elektorale. Ndryshimet janë bërë në bazë të ruajtjes së një mesatareje të numrit të zgjedhësve në tre zgjedhjet e fundit të zhvilluara në vend, regjistrat e zgjedhjeve të 2000, 2001 dhe 2003. Në këtë proces, PS-ja ka parë me përparësi regjistrat e zgjedhësve gjatë votimeve parlamentare të 2001 dhe zgjedhjet për Pushtetin Vendor të vitit 2003. Burimet kanë bërë të ditur se një zonë elektorale do të ketë përafërsisht 23 300 zgjedhës. Kjo shifër do të lëvizë me plus dhe me minus 5 për qind në bazë të rrretheve dhe popullsisë. Miratimi i ndarjes elektorale do t'i hapë rrugën ngritjes së komisioneve zgjedhore elektorale në PS, që do të jenë strukturat mbështetëse të deputetëve socialistë.

Përfaqësuesit

Ylli Bufi dhe Elmaz Sherifi do të jenë dy përfaqësuesit e Partisë Socialiste gjatë diskutimeve që do të bëhen me demokratët Jemin Gjana dhe Ilir Rusmali, nën monitorimin e OSBE-së. Burimet thanë se propozimet e PS-së për ndarjen e zonave do të paraqiten sot në tryezën e OSBE-së. Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar dhe demokratët. Duke iu referua kritereve të parqitura nga OSBE-ja për ndarjen e 100 zonave elektorale, kompromisi përfundimtar duhet të miratohet në Kuvend brenda datës 14 shkurt. Për këtë do të shërbejnë bisedimet mes përfaqësuesve të PD-së dhe të PS-së. Ndërsa vendosja e kufijve zonalë do të jetë deçizive për zgjedhjet e deputetëve për katër vitet e ardhshëm të parlamentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›