E Diel, 1 Nëntor 2026

Dervishaj: Përballë Metës mund të konkurrojnë dhe anëtarët e Komitetit Drejtues

26/01/2005  Në një intervistë të dhënë për "Metropol", zëdhënësi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sokol Devishaj, ka theksuar se në zgjedhjet për postin e kryetarit të partisë do të konkurrojnë të gjithë ata, të cilët mendojnë se kanë aftësitë për të drejtuar këtë parti. Dervishaj thekson se votimi për kreun e LSI-së do të bëhet brenda një ditë nga e gjithë anëtarësia. Gjithashtu, Dervishaj ka zbardhur për "Metropol", hapat që do të ndjekë LSI deri në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare.

Gjatë këtyre muajve, Lëvizja Socialiste për Integrim do të përballet me dy procese zgjedhore. Zgjedhjet e brendshme që lidhen me zbatimin e parimit "një anëtar, një votë" dhe zgjedhjet e përgjithshme në vend. Zbatimi i parimit "një anëtar, një votë" në LSI do të zhvillohet në dy faza, që ka të bëjë me zgjedhjen e strukturave drejtuese të kësaj partie. Pas konstituimit të këtyre strukturave, do të bëhet përzgjedhja e drejtuesve që nga qendrat e votimit deri te nivelet e zonave të njësive vendore, nga ku anëtarësia do të votojë drejtpërdrejt të gjitha forumet nga kryetari i organizatës deri te kryetari i strukturës drejtuese të LSI për çdo zonë elektorale. Pavarësisht se po zhvillon fazën e dytë të programit të saj, LSI-ja njëkohëshit po vazhdon punën për shtimin e radhëve. Përgatitja e një data-base të saktë, konsiderohet një nga prioritetet e punës së strukturave të kësaj partie. Është në proces puna për përgatitjen e saktë të data-baseve për çdo rreth të vendit. Ky proces do të kulmojë me votimin që anëtarësia e LSI-së do të bëjë për zgjedhjen e kryetarit të saj në muajin prill. Ndërkohë që brenda muajit shkurt do të zhvillohet zgjedhja e drejtueseit të Lëvizjes Rinore për Integrim, dhe në muain mars do të zgjidhet dhe drejtuesja e gruas për Integrim.

Çfarë pritet të dalë nga Konventa e LSI-së?

Konventa kombëtare e LSI-së do të zhvillohet në muajin prill. Në të do të përzgjidhen forumet drejtuese të kësaj partie. Një grup ekspertësh po punojnë pranë kësaj partie për detajimin e aspekteve të fundit të programit elektoral dhe atij qeverisës. Programi do të marrë miratimin e 600 anëtarëve të Konventës. Duke iu referuar statutit, kjo forcë politike do të dalë me kandidatin për Kryeministër para zgjedhjeve. Emri i të cilit do të shpallet në konventën e prillit.

A do të ketë konkurrentë alternativë për postin e kryetarit të LSI-së?

Gara për kryetarin e LSI-së është më konkurrim të hapur. Të gjithë anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar kanë të drejtën të rivalizojnë përballë kryetarit aktual, Ilir Meta. Emri i kryetarit të ardhshëm të LSI-së do të dalë nga votimi që anëtarësia e kësaj partie do të bëjë brenda një dite. Votimi do të jetë transparent si për publikun, ashtu dhe për mediat. Kryetari i LSI-së do të zgjidhet para zhvillimit të Konventës Kombëtare.

Si do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve për deputetë?

Proppzimet për kandidaturat për deputetë do të vijnë nga strukturat zonale, lista e të cilëve do të marë aprovimin e Konventës. Ndërkohë anëtarët e kryesisë dhe të KDK-së po punojnë në çdo zonë elektorale për të ndjekur procesin e zbatimit të formulës "një anëtar, një votë". Kriteret, mbi të cilat do të zgjidhen kandidatët për deputetë, do të jenë njerëzit me reputacion dhe që kanë kontribute të spikatura në profesionet e tyre. Anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar do të jetë baza nga ku do të dalin kandidatët për deputetë.

Çfarë përgatitjesh po bën LSI, duke qenë se jemi në prag të fushatës zgjedhore?

Së shpejti, pranë LSI-së, do të fillojë punën komisioni për hartimin e strategjisë elektorale dhe propagandës që do të ndjekë kjo parti gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme. Duke pasur parasysh që për këtë forcë politike është hera e parë që përballet me votuesit shqiptarë, drejtuesit në këtë parti garantojnë një fushatë elektorale që nuk është aplikuar asnjë herë në vend. Duke zbuluar një pjesë të këtij projekti, fushata do të jetë për qytetarët dhe votuesit dhe jo një shou. Do të ketë shpalosje të platformave për zhvillim dhe integrim dhe jo valle, lule dhe përurime. Do të jetë një fushatë e entuziazmit për fitore dhe jo e sharjeve. Paralelisht në LSI po punojnë dhe komisionet e përhershme, të cilët hartojnë amendamentet për çështje të rëndësishme të situatës në vend.

A do të ketë koalicione me forca të tjera parlamentare?

LSI-ja vazhdon të deklarojë se është e hapur të bashkëpunojë me të gjitha forcat që japin kontributet e tyre për të nxjerrë vendin nga kolapsi që është futur, për të zhbllokuar reformat, për t'i dhënë fund ekonomisë informale, korrupsionit dhe konfliktit të interesave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›