E Diel, 1 Nëntor 2026

KOP: Pronat do të kthehen 100 për qind

26/01/2005  Projektstrategjia e PD-së, që do të vihet në zbatim, në rast se fiton zgjedhjet e ardhshme, parashikon njohjen e plotë të pronave të konfiskuara nga sistemi komunist. Sipas projektit, kompensimi me asete do të përfundojë brenda 1 mandati qeverisës. Në planin për Rregullim Territorin, të prezantuar nga Komitetit i Orientimit të Politikave, parashikohen lehtësira për gjendjen e të pastrehëve. Në draft thuhet se do të ndërtohet 1000 apartamente në vit me kosto të ulët, që mund të shiten me kredi, ose me lehtësira të tjera. Kreditë e zbutura do të jepen për 2000 familje në vit, sipas gjendjes së familjeve. Nga ky sistem do të përfitojnë familjet e varfëra dhe të pastreha. Projekti është paraqitur në tryezën e kryetarit të PD-së prej disa muajsh nga Besnik Aliaj, drejtori i Coo-Plan, shoqatë jofitimprurëse, që merret me problemet e Urbanistikës dhe Administrimin e Territorit.

Pronat

Në programin elektoral, një vend të veçantë do të zerë problemi i pronave, i cili është cilësuar kyç për integrimin në Bashkimin Evropian. Sipas platformës, njohja e plotë ligjore dhe zyrtare e të drejtës së pronësisë do të bëhet në 6 muajt e parë të qeverisjes së PD-së. Vlerësimi i faturës financiare dhe i mundësive reale për kompensimin, në asete dhe para në dorë, do të bëhet në vitin e parë të qeverisjes, ndërsa kompensimi në praktikë, brenda një mandati katërvjeçar. Me këtë strategji, PD mbështet kthimin dhe kompensimin e plotë të pronave, duke lënë të kuptohet kështu se me ardhjen në pushtet do të rikthejë ligjin e miratuar më 30 korrik të vitit 2004. Sipas këtij ligji, tokat bujqësore kthehen dhe kompensohen deri në 60 ha.

Strehimi

Në strategji, parashikohet ndërtimi i 1 mijë apartamenteve në vit, për të pastrehët si dhe mundësimin e dhënies së kredive të buta dhe të pjesshme për 2 mijë familje në vit. Një propozim i tillë vjen dhe nga fakti se në Shqipëri numri i të pastrehëve është tepër i madh, gjë që cilësohet problemi më kryesor për demokratët. Specialistët, që kanë hartuar programin, janë të bindur se me një menaxhim sa më të mirë të territorit, mund të bëhet i mundur sigurimi i 1 mijë trojeve, të cilat do të shërbejnë për qëllime strehimi dhe të infrastrukturës. Në këtë linjë nuk lihet pa u përmendur dhe strategjia si dhe hapat që duhet të ndërmerren për legalizimin dhe kapitalizimin e ndërtimeve të paligjshme. Realizimi i këtij projekti do të kryhet brenda mandatit të parë qeverisës, me anë të një procesi që ka pesë pika bazë, siç janë diagnoza dhe analiza e situatës ekzistuese, zbatimi i reformës, duke vënë në qendër qytetarin e thjeshtë dhe të varfërit, kapitalizimin e aseteve dhe ekonomisë ekstraligjore etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›