Pollo: Nano është kuçedra për investimet në Shqipëri
26/01/2005 Kryetari i PDR, Genc Pollo, në lidhje me analizën e qeverisë theksoi se Kryeministri Nano në fjalën e tij tha disa të vërteta, por nuk shprehu disa të tjera të dukshme e të rëndësishme e që meritojnë të vihen në pah. "Duhet thënë se, megjithëse ka rritje ekonomike të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kjo nuk ka shërbyer as për të zvogëluar varfërinë dhe as për të hapur vende të reja pune. Kjo situatë mund të krahasohet me ujin e burimit që e ka bllokuar kuçedra", theksoi Pollo. Ai shtoi se gjatë analizës Kryeministri zbuloi një të vërtetë që pas dy mandatesh të PS ende mungon një strategji reale e zhvillimit të sektorëve prioritarë të ekonomisë. "Ajo që nuk u tha është se dokumentet e shumtë të miratuar formalisht dergjen nëpër sirtarë, të harruara që nga çasti i miratimit. Po ashtu, Kryeministri flet për 300 milionë $ për investime të huaja, por nuk përmend që shumica e tyre rrjedh nga privatizimi i aseteve shtetërore", tha Pollo. Në lidhje me premtimin se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian do të mbyllet gjatë këtij viti kreu i PDR-së shtoi se "vonesa, sipas studimit, ka kushtuar shumë në xhepin e secilit shqiptar. Por unë kujtoj që Kryeministri premtoi të njëjtën gjë në janar të 2003 si dhe në janar të 2004. Por, kësaj radhe të tretë, daltë e vërtetë, pavarësisht se kush firmos pas zgjedhjeve parlamentare". Gjithashtu, Pollo shtoi se "dua të them se është një lajm i mirë për të gjithë ne zgjedhja e deputetit holandez, Rene van der Linden, si President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ai është një mik i vjetër e i mirë i demokracisë në Shqipëri".