E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aliaj, e ardhmja e paqartë

15/02/2005  Duket pezull, përsa i takon të ardhmes së mbrojtësit kuqezi që aktivizohet në rradhët e Oberhauzenit. Gjendja e tij duket shumë e paqartë dhe megjithë “kërcënimet” e FSHF-së për një ankim të mundshmë në FIFA dhe UEFA, klubi gjerman vazhdon të ruajë pozicionin e tij. Mesa duket edhe pse kanë kaluar disa ditë nga takimi i së mërkurës kundër Ukrainës, drejtuesit e Oberhauzenit, nuk e kanë kapërdirë aktivizimin e vlonjatit gjatë 90 minutave të lojës. Gjoba është gjëja më e sigurtë, ndërkohë përjashtimi në takimin kundër Kotbusit mund të jetë paralajmërim për më keq, ose mund të shënojë fillimin e një serie përjashtimesh që mund të vijnë edhe në ndeshjet që do të vijojnë. Trajneri i Oberhauzenit, Eugen Hah ka insistuar me të tijën, duke e cilësuar si të gabuar veprimin e mbrojtësit. “Unë jam sjellë në mënyrë korrekte me Aliajn, ndërkohë që kam mbetur tepër i zhgënjyer prej tij. Unë kam qenë gjithnjë i kujdesshëm në fjalët e mia dhe nuk dua që ato të keqkuptohen më vonë. Është e pamundur që një futbollist të mos kryejë një stërvitje normale për tre javë dhe brënda një ditë udhëtojë diku tjetër e të aktivizohet për 90 minuta”, ka bërë të ditur trajneri i Oberhauzenit, duke iu referuar aktivizimit të mbrojtësit, Adrian Aliaj në ndeshjen Shqiperi-Ukrainë të mërkurën në mbrëmje. Ndërkohë, në deklaratën e tij dhënë për shtypin gjerman, trajneri Hah nuk ka harruar të kujtojë se me këtë sjellje, Aliaj ka përjashtuar vetveten dhe nuk ka qenë klubi që ka përjashtuar atë. Madje ai ka nënvzuar se mbrojtësit vlonjat do t’i duhet shumë kohë për të rifituar vendin në skuadër. Perspektiva nuk premton asgjë pozitive për mbrojtësin Aliaj. ishte vetë ai që përjashtoi vetveten nga skuadra dhe do t’i duhet shumë kohë për të riveshur fanellën e Oberhauzenit. Ai ka humbur besimin e trajnerit, por edhe të vetë tifozëve të Oberhauzenit. Tashmë, marrdhëniet ndërmjet vlonjatit dhe klubit gjerman kanë pësuar një çarje të rëndë dhe një largim i tij në verë nuk është më për t’u përjashtuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›