Bogdani, mister 15 golëshi
15/02/2005 Verona rikthehet te fitorja, rikthehet edhe te shpresa për të vazhduar ëndrën e saj për një vend në serinë A sezonin e ardhshëm. Bashkë me të, rikthehet të shënojë edhe sulmuesi ynë, Erjon Bogdani që me golin e shënuar kundër Çezenës, ka kapur kuotën e 15 rrjetave në këtë sezon (asnjë me 11 metërsh), që i garantojnë dhe lidershipin në klasifikimin e golashënuesve të serisë B. Me golin e shënuar kundër skuadrës së Çezenës, Erjon Bogdani ka mbyllur në mënyrën më të mirë një javë të këndshme për të. Së pari, rikthimi në përfaqësuese, edhe pse i hidhur për shkak të humbjes me Ukrainën (jo për fajin e tij) dhe më tej fitorja të dielën pasdite në kampionatin italian të serisë B. një fitore që ka patur edhe vulën e tij. Jo vetëm sepse ka arritur të shënojë golin e dytë për verdheblutë e Veronës, por edhe për faktin tjetër, se ka qenë protagonist absolut në golin e parë të shënuar nga Rosina. Në fakt, ka qenë një asist i tij në rastin e golit të parë i konkretizuar në mënyrën më të mirë nga Rosina, i cili nuk ka harruar të falenderojë edhe shokun e tij të sulmit për “dhuratën”. “Më vjen mjaft mirë që debutova me një gol, por një meritë të madhe në golin tim ka edhe Bogdani. Praktikisht ai ka bërë gjithçka, mua më duhej vetëm të shtyja topin në rrjetë”,- ka bërë të ditur sulmuesi i ri i Veronës, Rosina. Pas asistit për Rosinën, Bogdani ka vendosur t’i japë fund edhe “agjërimit” prej 4 javësh, duke shënuar golin e dytë për Veronën, por edhe të 15-it e tij në këtë kampionat. “Dashi i Veronës”, siç është edhe epiteti i gjigandit të sulmit të Veronës, ka goditur sërish. Në minutën e 68-të të takimit, ai ka shënuar me kokë golin e dytë të Veronës, që në fund ka rezultuar dhe vendimtar në fitoren e verdhebluve. Ky gol e ka konsoliduar atë në krye të golashënuesve të serisë B me 15 “shënjestra” dhe ka bërë që Verona të “fluturojë” dhe t’i rikthehet ëndrrës për një vend në serinë A. Në fund të takimit kundër Çezenës, Bogdani është shprehur tepër i kënaqur jo vetëm për golin e shënuar, por edhe për fitoren e Veronës, e cila nga objektivi primar i saj për të qëndruar në serinë B, ka kaluar çdo parashikim. “Jam shumë i kënaqur që u riktheva te goli”, por për mua nuk është ndonjë problem edhe nëse nuk shënoj, sepse më e rëndësishme është që të shënojë skuadra. Unë nuk jam një sulmues pykë, më pëlqen shumë të lëviz, të luaj me topin, të jap asist për shokët e skuadrës, ashtu siç ndodhi edhe me Çezenën, por edhe në ndeshjet e tjera. Jam duke përjetuar një moment shumë të mirë forme dhe shpresoj që tifozët të më mbështesin edhe kur të ndoshem në vështirësi, sepse është e vështirë të ruash të njëjtin ritëm gjatë gjithë sezonit”,- ka deklaruar për gazetën e Veronës, “L’Arena”, sulmuesi i përfaqësueses kuqezi, Erjon Bogdani. Por, Bogdani nuk ka harruar të thotë fjalët më të mira edhe për shokët e tjerë, të cilët kanë bërë në mënyrë të shkëlqyer detyrën e tyre duke zëvendësuar Behramin dhe Adailton. “Na mungonte Behrami, më tej u dëmtua edhe Adailton. Mendova për një ndeshje të pafat, por të gjithë shokët dhanë maksimumin duke treguar se janë shumë të vlefshëm. Mendoj se ky është një sinjal i mirë, sidomos për vazhdimësinë e sezonit”, ka përfunduar bomberi kuqezi i Veronës, Erjon Bogdani.